13 C
Struga
Thursday, March 28, 2024
spot_img

Zyrtarja e BE-së nis peticionin për liberalizimin e vizave për Kosovën

Kati Schneeberger, këshilltare lokale e Bashkimit Evropian, të premten ka nisur një peticion online për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Schneeberger duke kërkuar që të ndalet izolimi i Kosovës ka thënë se ka ardhur koha që liberalizimi të ndodhë dhe kosovarët të ndjehen të barabartë me qytetarët evropianë.

“Mos e izoloni Kosovën. Tani është koha. Të drejta të barabarta për qytetarët e Kosovës si për qytetarët e BE-së. Të drejta të barabarta për të gjithë evropianët”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në Twitter.

Ndërkaq, iniciativa e nisur në change.org, është përkrahur edhe ish-raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek.

Lunacek, e ka quajtur iniciativë të rëndësishme nismën e Schneerberger.

“Një iniciativë e rëndësishme, ju lutem nënshkruajnë dhe shpërndajeni: Qytetarët e Kosovës nuk duhet të jenë më të përjashtuar nga mundësia për të vizituar shokët dhe familjet në BE”, ka thënë Lunacek.

“Përkundër se Kosova ka dëshmuar për përmbushjen e të gjitha kushteve, liberalizimi i vizave vazhdon të kundërshtohet nga dy anëtare të BE-së – Franca dhe Holanda. Liberalizimi i vizave për të gjitha vendet e tjera të Ballkanit si dhe për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë është realizuar qe disa vite. Koha është që edhe qytetarët e Kosovës, të kenë mundësinë që të hyjnë në BE pa nevojë për të aplikuar për viza. Ndërkohë, hyrja pa viza është e mundur për të gjithë qytetarët e BE-së në Kosovë. Ky trajtim i pabarabartë duhet të marr fund. Qytetarët e Kosovës nuk duhet të jenë më të izoluar. Prandaj, bëjmë thirrje për një vendim për liberalizimin e vizave për Kosovë në samitin e radhës të BE-së, në qershor 2022”, thuhet në arsyetimin e iniciativës.

Ndryshe, Parlamenti Evropian për vite me radhë ka kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën dhe nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në rastin e Kosovës, Parlamenti ka dhënë edhe pëlqimin e nevojshëm pas rekomandimit të Komisionit Evropian.

Por, qëndrimet e Parlamentit Evropian nuk janë ligjërisht obliguese për vendet anëtare të BE-së. E, vendimet përfundimtare miratohen në Këshill pikërisht nga shtetet anëtare.

Peticionin mund ta nënshkruani chng.it/kBD4BJKm.

Related Articles

Na Ndiqni

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

Latest Articles