8.6 C
Struga
Monday, February 26, 2024
spot_img

Zgjedhjet në veri të Kosovës/ Hartohet udhëzimi për largimin e kryetarëve shqiptarë

Katër komuna veriore të Kosovës, ku shumica e popullsisë janë pakica serbe, janë tani një hap më afër realizimit të zgjedhjeve të reja pasi të shprehen për largimin e kryetarëve aktualë.

Puna disajavore për hartimin e udhëzimit për peticionin përfundoi të martën.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, njoftoi se:

Pjesë e diskutimeve, punës dhe konsultimeve profesionale dhe e grupit punues kanë qenë institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare. Për këtë çështje marrë parasysh, që është hera e parë që trajtohet me rregullim normativ, ka pasur shumë komente dhe sugjerime. Të gjitha janë trajtuar dhe pjesa më përmbajtjesore është adresuar. Ky udhëzim jep mundësinë e zbatimit praktik të një të drejte të garantuar nga ligji për vetëqeverisje lokale. E drejtë kjo që siguron ushtrimin e vullnetit qytetar në raport me Kryetarin e Komunës, të cilin e zgjedhin drejtpërdrejt vetë qytetarët.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, në katër komunat në veri – Zveçan, Leposaviq, Zubin-Potok dhe Mitrovicë e Veriut – në zgjedhjet e prillit të këtij viti kanë pasur të drejtë vote mbi 45 mijë qytetarë.

Udhëzimi përcakton se nënshkrimi i peticionit duhet të bëhet me vullnet të lirë dhe pa presion.

Për këtë, është parashikuar formimi i një grupi nismëtar prej tre përfaqësuesish të komunës së interesuar, i cili do të ketë për detyrë të njoftojë kryetarin e kuvendit komunal dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për iniciativën qytetare.

Grupi nismëtar do të ketë afat 30 ditë për të mbledhur firmat e qytetarëve, që duhet të jenë të paktën sa 20 për qind e votuesve gjithsej.

KQZ-ja ngarkohet me verifikimin e nënshkrimeve dhe me organizimin e votimit për largimin nga detyra të kryetarit të komunës.

Peticioni mbahet jo më vonë se 45 ditë pas konfirmimit të kuotës prej 20 për qind, por që të largohet kryetari aktual, për këtë duhet të shprehen më shumë se 50 për qind e votuesve, përndryshe votimi anulohet dhe nuk mund të përsëritet për 12 muaj.

Nëse votimi realizohet sipas procedurës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të ketë 30 deri 45 ditë kohë për të shpallur datën e zgjedhjeve të parakohshme në komunat veriore.

Related Articles

Na Ndiqni

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

Latest Articles