26 C
Struga
Wednesday, June 19, 2024
spot_img

Xhaferi takohet me Osmanin: “Maqedonia e Veriut e mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO” 

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi u prit në takim nga presidentja, Vjosa Osmani. Pas takimit nuk kishte deklarata për media. Përmes një kumtese Zyra e Presidentes njoftoi se në takim është biseduar për situatën aktuale politike jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, pas agresionit ushtarak të Federatë Ruse ndaj Ukrainës.

“Presidentja Osmani ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është më i domosdoshëm se kurrë për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon. Gjatë këtij takimi presidentja Vjosa Osmani tha se Rusia dhe Serbia si aleate e saj po tentojnë ta destabilizojnë Kosovën dhe Ballkanin. Prandaj nismën për Ballkanin e Hapur, Presidentja Osmani e konsideron si mjet të Serbisë për shtrirje të hegjemonisë së saj në rajon. Sipas Presidentes, Rusia dhe shtetet e tjera autokratike përmes marrëveshjeve me Serbinë po përpiqen ta shtrijnë ndikimin e tyre të dëmshëm në rajon”, njoftuan nga Presidenca e Kosovës.

Për temat e diskutimit njoftoi edhe kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi përmes një postimi në facebook. Tha se Maqedonia Veriut e mbështet pa rezervë anëtarësimin e Kosovës në NATO, në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

“Në takimin me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, biseduam për mundësitë e hapura për bashkëpunim, lidhjen e rajonit me Korridorin 8 dhe rëndësinë e projekteve prioritare për lidhje infrastrukturore ndërmjet dy shteteve përmes autostradave Shkup-Bllacë dhe Tetovë-Prizren. U pajtuam se nevojiten më shumë vizita të ndërsjella në të gjitha nivelet dhe degët e qeverisjes. Në takim e theksova edhe mbështetjen e hapur për Republikën e Kosovës në forumet multilaterale të bashkëpunimit”, tha Xhaferi.

Një ditë më parë kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Xhaferi, u takua me kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, kryeministrin Albin Kurti dhe me drejtuesit partitve opozitare.

Related Articles

Na Ndiqni

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

Latest Articles