26 C
Struga
Monday, May 20, 2024
spot_img

Vendim historik i përbashkët për pagat në sektorin publik – zgjidhje sistemike dhe e qëndrueshme

Për herë të parë që nga pavarësia, u përcaktua zgjidhje sistemike për pagat në sektorin publik, e cila është në interes të të punësuarve, pagat e të cilëve do të vazhdojnë të rriten dhe do të jenë në interes të qëndrueshmërisë fiskale dhe të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik në vend. Ky është vendim historik për sistemin e pagave në sektorin publik. Zgjidhja e dakorduar është si rezultat i një procesi të gjatë negociatash dhe konsultimesh me sindikatat, si dhe me institucionet financiare ndërkombëtare. Negociatat patën uljet dhe ngritjet e tyre, por në vetvete paraqesin sukses, sepse u zhvilluan në mënyrë demokratike, me fakte të fuqishme dhe argumente logjike. Dëshira e ndërsjellë dhe e sinqertë për zgjidhje, ndikoi që të krijojmë besim reciprok në këtë proces, me ç’rast hap pas hapi hodhëm themelet e zgjidhjes së qëndrueshme, mbi të cilën do të ndërtohet më tej sistemi i drejtë dhe i qëndrueshëm në vlerësimin e punës në sektorin publik.

Zgjidhjen e shoh si sukses të përbashkët, si të Qeverisë ashtu edhe të sindikatave, të cilët janë partnerët tanë seriozë në mbrojtjen e të drejtave dhe krijimin e kushteve më të mira për të punësuarit në sektorin publik dhe në këtë mënyrë do të krijohet administratë më efikase dhe profesionale, si dhe shërbime më të mira për qytetarët dhe ekonominë. Personalisht, do të doja t’i përgëzoj sindikatat, t’i vlerësoj të gjithë ata që u përfshinë në këtë proces dhe që kontribuan në realizimin e kësaj reforme të rëndësishme. Dëshiroj ta falënderoj kryeministrin për përkrahjen e plotë, si dhe kolegët ministra të Qeverisë. Në këtë rast, do të theksoj faktin se Qeveria kurrë nuk ishte “pala kundërshtare”, por menaxher i procesit të përcaktimit të rezultatit optimal. Negociatat me sindikatat i kemi zhvilluar në mënyrë aktive, por për ne me rëndësi ishte edhe ofrimi i zgjidhjes përkatëse para Fondit Monetar Ndërkombëtar, me qëllim që edhe ata të perceptojnë se ky propozim ka qëndrueshmëri fiskale dhe se nuk do të ndikojë mbi stabilitetin makroekonomik. Gjegjësisht, kjo krizë është specifike me atë që nga njëra anë inflacioni i lartë është kërcënim për standardin e jetesës së qytetarëve, por nga ana tjetër, rritja e pagave mund të shkaktojë spirale inflatore ose presion mbi rritjen e mëtejshme të inflacionit përmes kërkesës. Gjithashtu, bartësit e politikave përballen me sfidë të madhe, që në të njëjtën kohë duhet ta balancojnë dhe ruajnë stabilitetin makroekonomik dhe standardin e qytetarëve.

Jemi shteti i parë në botë sa i përket indeksimit të pagave në sektorin publik me pagën mesatare

Me këtë zgjidhje të harmonizuar me sindikatat, konsideroj se arritën këtë balanc. Gjegjësisht, me pagesën e pagës për muajin shtator, të gjithë të punësuarit në sektorin publik do të përfitojnë rritje prej 10% në pagat aktuale, ndërsa me sistemin e vendosur të harmonizimit të pagës minimale, në muajin mars ka pasur harmonizim prej 5% për rreth 62.000 të punësuar te shfrytëzuesit buxhetorë, përkatësisht nëpunësit administrativë, gjyqësorë dhe atyre në prokurori, nëpunësit doganorë, të punësuarit në MPB dhe ARM, në institucionet shëndetësore, si dhe në institucionet për përkujdesje të fëmijëve etj. 

Kështu, rritja kumulative është më e madhe se norma e inflacionit për vitin e kaluar. Të gjithë të punësuarve në sektorin publik deri në fund të këtij viti do t’u paguhet edhe regres (K-15) për vitin 2023 në vlerë prej 10.000 denarëve, ndërsa më tej, me marrëveshjen e përgjithshme kolektive, regresi do të definohet në minimum 30% të pagës mesatare neto (me përjashtim kur në njërin prej katër tremujorëve të fundit nuk do të ketë rritje negative të PBB-së reale).

Por, do të theksoj se vendimi më krucial që e miratuam gjatë javës së kaluar është zgjidhja sistemike për indeksimin e pagave në sektorin publik me pagën mesatare në nivel të ekonomisë, në kuadër të rritjes nominale të PBB-së. Harmonizimi i pagës në sektorin publik prej muajit mars të vitit 2025 do të bëhet në atë mënyrë që paga mesatare do të shumëzohet me koeficientin përkatës. Në këtë mënyrë do të përfitojmë një sistem real të pagave, të harmonizuara me gjendjet në tregun e punës,  që do të jetë i drejtë dhe transparent për tërë sektorin publik. Kemi një periudhë tranzicioni prej rreth dy vitesh për zbatimin e kësaj zgjidhjeje, e cila është periudhë e mjaftueshme duke qenë se është reformë kruciale, ku duhet të zbatohen në mënyrë të përkryer të gjitha aktivitetet që lidhen me të, duke përfshirë edhe ndryshimet në kornizën ligjore, marrëveshjen e përgjithshme kolektive dhe përcaktimin e koeficientëve.  

Do të përmend se, ne do të jemi ndoshta vendi i parë në botë që do të indeksojmë pagat e sektorit publik me pagën mesatare, fakt ky që do të sigurojë harmonizim të vazhdueshëm të pagave, duke monitoruar zhvillimet e tregut të punës dhe produktivitetit. Rreth 20%, ose pesë vende të Eurozonës, pagat e sektorit publik i harmonizojnë plotësisht ose pjesërisht me normën e inflacionit, ndërsa vetëm dy vende (Belgjika dhe Luksemburgu) i harmonizojnë automatikisht pagat. Në disa vende të BE-së dhe rajonit, indeksohet vetëm paga minimale në sektorin publik dhe/ose privat.

Më lejoni t’ju përkujtoj se vitin e kaluar kemi vendosur sistem për harmonizimin e pagës minimale në sektorin publik dhe privat, ku indeksimi, përveç kostos së jetesës, bëhet në bazë vjetore me rritjen e pagës mesatare. Qëllimi është monitorimi i elementit zhvillimor (rritja e produktivitetit), krahas elementit social (kostoja e jetesës). Sipas këtij parimi është krijuar edhe sistemi i harmonizimit të pensioneve. Në vitin 2025, me zbatimin e sistemit të pagave në sektorin publik, do të përfundojë ky proces thelbësor për të drejtat, marrëdhëniet sociale dhe të punës.  

Rritje e vazhdueshme e pagave në sektorin publik në 5 vitet e fundit

Pikësynimi ynë si Qeveri është që pagat të rriten si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat dhe e gjithë kjo të përcillet me rritje të produktivitetit dhe prodhimit të brendshëm bruto. Në pesë vitet e fundit, duke marrë parasysh kërkesat dhe nevojat e sektorit publik, kishte rritje pagash. Për të gjithë administratën, krahas rritjes vjetore të pagave në muajt mars dhe shtator, kishte rritje pagash për sektorin publik edhe në vitin 2019. Gjatë 5 viteve të fundit, për çdo vit në arsim kishte rritje pagash edhe atë në arsimin fillor dhe të mesëm nga viti 2018, 2019, 2020, 2022 deri në vitin 2023, si dhe në arsimin e lartë në vitet 2021, 2022 dhe 2023 (18% për këtë vit). Në mbrojtjen sociale dhe të fëmijëve kishte rritje pagash prej 10% dhe 15% në vitet 2019 dhe 2022. Po në këtë periudhë edhe të punësuarit në kulturë kishin rritje pagash prej 20% dhe 18%. Të punësuarit në gjyqësor kishin rritje prej 15%. Të punësuarit në ARM në vitet 2018 dhe 2022 kishin rritje prej 10% dhe 2000 denarëve. Të punësuarit në shëndetësi, në pesë vitet e fundit kishin rritje pagash tri herë, edhe atë për 10%, 25% dhe 5%. Rritje kishte edhe në MPB, ESHR, strukturat e IPA-s, si dhe në drejtoritë dhe fushat e tjera publike. Dëshiroj t’ju rikujtoj, se prej këtyre 5 viteve të fundit, 3 vite ishin me gjendje krize, përkatësisht, kishte disa kriza globale që ndërthureshin, siç janë pandemia, kriza energjetike, çrregullimi i zinxhirëve të furnizimit dhe inflacioni i lartë.

Rritje pagash në 5 vitet e fundit kishte edhe në sektorin privat, që më së miri u pasqyrua përmes të dhënave për pagën mesatare, që gjatë 5 viteve të fundit arriti të jetë 50% më e lartë. Edhe pse efektet e krizës inflacioniste, te lexuesi mund të ngjallin ndjenja negative ndaj këtij pohimi, megjithatë, do të theksoj faktin se këto seri të dhënash dëshmojnë trende pozitive në ekonominë tonë, të cilat do të jenë edhe më të theksuara pas përfundimit të krizës. Do të nënvizoj se, ndryshimet strukturore nuk bëhen brenda natës dhe se efektet e tyre prolongohen, të cilat do të jenë të dukshme në periudhë afatmesme dhe afatgjate.

Optimizimi për efikasitet dhe efektivitet më të madh në sektorin publik

Sektori publik, veçanërisht administrata shtetërore, mundet ka potencial të jetë faktor i rëndësishëm në këto ndryshime. Sektori publik është shërbyes i sektorit privat dhe detyra e tij është të sigurojë kushte për zhvillimin dhe konkurrencën e sektorit privat.

Sektori privat duhet të ketë suport në sektorin publik dhe jo të jetë barrë për të.

Prandaj, përveç sistemit të vlerësimit të denjë të të punësuarve publikë është e domosdoshme të bëhet edhe optimizimi.

Kjo do të nënkuptonte analizë funksionale për shfrytëzimin optimal të kapaciteteve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ofruara nga sektori publik.

Efikasiteti dhe efektiviteti, që nga zbatimi i strategjive dhe politikave dhe deri te shërbimet e rregullta publike, duhet të përmirësohen dukshëm në disa sektorët publikë dhe prandaj tashmë ekziston strategjia dhe po punohet në të.

Optimizimi po ashtu do të përfshijë edhe racionalizimin, përkatësisht arritjen e numrit optimal të të punësuarve në sektorin publik, që do të nënkuptojë barrë më të vogël financiare për buxhetin, ndërsa efikasiteti dhe efektiviteti i sektorit publik do të jetë më i madh.

Racionalizimi nuk do të thotë largime nga puna, por program i mirëvendosur me masa të favorshme dhe tërheqëse për transferin e të punësuarve në sektorin privat, ku tashmë po ndihet nevoja në tregun e punës për numër më të madh të fuqisë punëtore, që nga ana tjetër ndikon në konkurrencën dhe rritjen e ekonomisë.

Vijojmë drejt rrugës së konsolidimit dhe qëndrueshmërisë fiskale

Do t’i referohesha edhe pjesës fiskale, e cila është po aq e rëndësishme, meqenëse qëndrueshmëria fiskale është parakusht i stabilitetit, rritjes dhe zhvillimit ekonomik. Do të theksoj se edhe pse do ta rrisim një zë të madh të buxhetit si dhe pagat në sektorin publik për 10%, do t’i përmbahemi vendosmërisë për të qëndruar në kuadër të deficitit që e kemi planifikuar me Buxhetin e vitit 2023 si dhe në rrugën e konsolidimit gradual fiskal. Me periudhën e tranzicionit të zbatimit të reformës së pagave në sektorin publik, do të mundësohet optimizimi dhe ristrukturimi i shpenzimeve në buxhet, pa e dëmtuar komponentin e tij zhvillimor. Qeveria ka miratuar tashmë masa nëpërmjet Planit të qëndrueshmërisë fiskale, që do të ndikojnë si në anën e të hyrave ashtu edhe në atë të shpenzimeve, me qëllim të uljes së hendekut apo deficitit.

Së fundi, dua të shtoj se, suksesi dhe rezultatet e vazhdueshme janë të mundshme vetëm nëse ekziston strategji e mirëvendosur dhe sistem i zbatimit të kësaj strategjie. Kështu është edhe në ekonomi, si edhe në çdo sferë shoqërore. Pavarësisht nëse ka krizë apo rritje ekonomike, në mënyrë që ekonomia jonë t’i afrohet qëllimit – rrugës dhe standardit europian, nevojitet që të punohet në vazhdimësi në reformat strukturore të cilat do ta përmirësojnë konkurrencën dhe do të kontribuojnë në rritje dhe zhvillim më të shpejtë.

Së fundi, më lejoni të theksoj se ekonomia është shkenca e shpërndarjes më optimale të burimeve në dispozicion, në drejtim të krijimit të vlerës së shtuar dhe maksimizimit të përfitimeve të saj, si dhe sigurimit të qëndrueshmërisë së këtij procesi. Kjo mund t’ua kujtojë ekonomistëve “Pareto Optimumin”. Me sigurimin e qëllimit, krijimin e vlerës së shtuar, përmirësohet mirëqenia, rritja e të hyrave nacionale, me ç’rast shpërndarja do të jetë më e madhe. Angazhimi ynë si Qeveri është zhvillimi, për standard më të mirë dhe kushte më të mira jetese për qytetarët. Prandaj, këtë kolumnë ia dedikova kësaj zgjidhjeje, e cila në bisedat e përditshme margjinalizohet si “të rriten pagat ose jo”. Thelbi i negociatave nuk ishte nëse do të rriten ose jo pagat – ato do të rriten bashkë me rritjen e ekonomisë – negociatat ishin për një zgjidhje të drejtë dhe sistemike që do të ishte e qëndrueshme, ose siç njihet në teorinë ekonomike si Pareto Optimum, gjegjësisht maksimizim i vlerës së re të krijuar me resurset që disponojmë.

Related Articles

Na Ndiqni

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

Latest Articles