31 C
Struga
Monday, August 8, 2022
spot_img

Shtetet e Bashkuara arrijnë rekord botëror, 1 milion të infektuar në ditë nga COVID-19

Shtetet e Bashkuara kanë raportuar gati 1 milion raste të reja të infektuarish me koronavirusin ditën e hënë. Kjo është shifra më e lartë në botë dhe pothuajse sa dyfishi i rekordit të arritur një javë më parë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa varianti Omicron nuk po jep shenja ngadalësimi. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftoi të martën se varianti i ri vlerësohet se ka shkaktuar 95.4% të infektimeve të reja në Shtetet e Bashkuara.

Numri i pacientëve me COVID-19 të shtruar në spital është rritur me pothuajse 50% gjatë javës së fundit në Shtetet e Bashkuara dhe tashmë ka kaluar shifrën 100 mijë, sipas të dhënave të agjensisë së lajmeve Reuters.

Varianti Omicron duket se është më lehtësisht i transmetueshëm se format e mëparshme të virusit. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftoi të martën se varianti i ri vlerësohet se ka shkaktuar 95.4% të infektimeve të reja në Shtetet e Bashkuara, që nga 1 janari.

“Rritja është masive. Gjatë festave kam dëgjuar për kaq shumë miq dhe të afërm që ishin të infektuar dhe nuk e dinin. Morën pjesë në festa dhe e shpërndanë më tej”, thotë Krystal Fujishige, mësuese në Los Anxhelos, ndërsa pret në radhë për t’u testuar për COVID-19.

Në disa shtete amerikane shifrat e infektimeve të reja i kanë shtyrë autoritetet të marrin masa të mëtejshme. Guvernatori i shtetit Merilend shpalli të martën gjendjen e jashtëzakonshme 30-ditore dhe mobilizoi 1 mijë ushtarakë të Gardës Kombëtare.

“Katër deri në gjashtë javët e ardhshme do të jenë më sfidueset e të gjithë pandemisë. Niveli i shtrimeve në spital është rritur me 150% krahasuar me pikën më të lartë të arritur gjatë dy viteve të fundit. Shpresojmë për më të mirën, por përgatitemi për më të keqen”, tha Larry Hogan, Guvernator i Merilendit.

Në shtete të tjera amerikane, si Dellauer, Illinoi, Ohajo, Virxhinia, si dhe në kryeqytetin Uashington, janë raportuar gjithashtu numra rekord pacientësh të shtruar në spital.

“Omicron-i po përhapet si zjarri në mbarë Kentakin. Të gjithë duhet të vaksinohen edhe me dozën përforcuese. Duhet të mbani maska kur gjendeni në vende publike dhe në mjedise të mbyllura. Të mbroni veten dhe të mos e përhapni tek të tjerët. Po përjetojmë një rritje që nuk është parë ndonjëherë në vend apo në botë”, tha Andy Beshear, Guvernator i shtetit Kentaki.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se evidenca sugjeron se varianti Omicron shkakton sëmundje më të lehtë. Megjithatë zyrtarët e shëndetësisë kanë paralajmëruar se vetëm nga numri i lartë i të infektuarve mund të bllokohen spitalet, shumë prej të cilave po përballojnë tashmë me vështirësi pacientët me COVID-19, kryesisht persona të pavaksinuar.

Related Articles

Na Ndiqni

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

Latest Articles