6.4 C
Struga
Monday, March 25, 2024
spot_img

SHBA: Qëndroni përkrah BE-së në mbështetjen e Ukrainës

“Shtetet e Bashkuara inkurajojnë të gjithë bashkësinë ndërkombëtare që të dërgojë një mesazh të fortë se qëndron përkrah Bashkimit Evropian në mbështetjen e Ukrainës, në këtë periudhë kritike”, tha të hënën një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, i pyetur nga shërbimi serb i Zërit të Amerikës rreth qëndrimit të Serbisë, që të mos i vendosë sanksione Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë.

Sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, tha zëdhënësi, e kanë vetëm një qëllim: “ndalimin e (Vladimir) Putinit që të vazhdojë luftën e tij të paramenduar, të paprovokuar dhe të pajustifikuar kundër Ukrainës. Shkelja e hapur e së drejtës ndërkombëtare nga Rusia dhe sulmi barbar kundër Ukrainës demokratike duhet të ndalet menjëherë”, tha ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të premten mbrëma se Serbia nuk do t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë, por në të njëjtën kohë mbështet tërësinë tokësore të Ukrainës.

Të martën ai ritheksoi qëndrimin e tij kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.

Serbia është vendi i fundit në Ballkan që është shprehur rreth situatës në Ukrainë dhe të premten ritheksoi se “është në rrugën evropiane”, por nuk do të krijojë armiqësi për hir të të tjerëve.

Ndonëse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, udhëheqja populiste e Serbisë ka forcuar më tej lidhjet e ngushta politike dhe ushtarake me aleaten sllave Rusinë, si dhe me Kinën.

Parlamenti Evropian miratoi të martën një rezolutë me të cilën dënon agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe bënë thirrje për më shumë trysni ndaj Kremlinit.

Në tekstin e rezolutës shprehet “keqardhje e fortë për mos harmonizimin e Serbisë me sanksionet e BE-së kundër Rusisë”, ndërsa theksohet se ky qëndrim “dëmton procesin e saj të anëtarësimit në BE”. Ligjvënësit evropianë thanë se presin vendet kandidate për anëtarësim në BE duhet të harmonizohen me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.

Në tekstin e rezolutës shprehet shqetësimi me “përpjekjet e vazhdueshme të Federatës Ruse për të destabilizuar vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për të ndërhyrë në proceset e tyre demokratike”.

Duke dënuar “ata që i shprehën mbështetje Federatës Ruse pas agresionit të saj kundër Ukrainës, rezoluta përgëzon mbështetjen e treguar nga ato vende të Ballkanit Perëndimor që janë aleatë euroatlantikë”.

Shumica e vendeve të Ballkanit u janë bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.

Related Articles

Na Ndiqni

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

Latest Articles