22.5 C
Struga
Tuesday, July 16, 2024
spot_img

Shaqiri: Lidhja e programeve studimore të institucioneve të arsimit të lartë me kërkesat e kompanive do të rezultojë me kuadër të nevojshëm në shekullin XXI

Arsimi i lartë cilësor rrit mundësinë për punësim cilësor. Në këtë kontekst, roli i arsimit të lartë është të ndërtojë kuadro me kompetencë të lartë që do t’u përgjigjet shpejt dhe me sukses nevojave të tregut të punës, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri në tryezën e rrumbullakët për harmonizimin e programeve studimore  në arsimin e lartë me nevojat e tregut të punës, i cili  u mbajt sot në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup. Në debat morën pjesë sektori akademik dhe ai i biznesit, duke vënë në dukje hapat e ardhshëm për harmonizimin e programeve studimore me kërkesat e kompanive.

Ministri Shaqiri theksoi se synimi prioritar i Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është ofrimi i arsimit cilësor dhe inkluziv.

“E një rëndësie kyçe është  që të rinjtë gjatë procesit arsimor të përvetësojnë një kombinim të tillë njohurish, aftësish dhe qëndrimesh që do të sigurojnë punësimin e tyre në kushte të zhvillimit të shpejtë teknologjik. Për të arritur këtë qëllim kemi filluar me reformë të thellë të sistemit arsimor”, saktëson Shaqiri.

Në kuadër të modelit krejtësisht të ri arsimor të arsimit fillor, i cili po prezantohet në faza, është thelbësore që fëmijët të zotërojnë aftësitë bazë, të fitojnë kompetenca digjitale, por është po aq e rëndësishme që ata të fitojnë edhe aftësi si mendimi kritik dhe kreativiteti, për të cilën këmbëngul pothuajse çdo industri. Të rinjtë, siç u shpreh  ministri, duhet të jenë në gjendje të analizojnë objektivisht informacionin, të sjerrin konkluzione të arsyeshëm dhe ta zgjidhin sfidën në mënyrë kreative.

Në arsimin e mesëm, gjatë dy viteve të  fundit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës  realizon model të suksesshëm bashkëpunimi mes shkollave të mesme profesionale, pushtetit vendor dhe komunitetit të biznesit, ndërsa  nxënësit e shkollave të mesme zotërojnë njohuritë dhe aftësitë profesionale në kompani në procesin e prodhimit. Atraktiviteti i arsimit të mesëm profesional është rikthyer. Vitin e kaluar shkollor në të gjitha shkollat ​​e mesme profesionale në Maqedoninë e Veriut kishte 97  paralele duale me 1400 nxënës, ndërsa këtë vit shkollor janë mbi 200 paralele duale  me 2.700 nxënës, me mbi 400 kompani të përfshira në procesin e trajnimit praktik në kushte reale.

“Vlerësoj se  ky model i lidhjes së institucioneve arsimore dhe kompanive mund të aplikohet edhe në arsimin e lartë, por për këtë duhet përgatitje e mirë dhe proaktivitet nga ana e institucioneve të arsimit të lartë. Ministria dhe odat ekonomike punojnë së bashku për të arritur orientim më të madh të programeve studimore për kompanitë, veçanërisht për ato që aplikojnë teknologji të reja, për të tejkaluar  mungesën e përvojës praktike dhe aftësive dhe kompetencave përkatëse profesionale tek studentët e diplomuar, gjë që do të lehtësojë hyrjen e shpejtë në procesin e punës”, theksoi  ministri Shaqiri.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës vazhdon të punojë për funksionalizimin e zgjidhjeve që nënkuptojnë zhvillimin dhe avancimin e arsimit të lartë dhe ndërtimin e kapitalit njerëzor të aftë për të përballuar sfidat e shekullit  21-të.

Related Articles

Na Ndiqni

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

Latest Articles