5.1 C
Struga
Friday, April 26, 2024
spot_img

Shaqiri: Arsimi inkluziv është praktikë e cila vazhdimisht po avancohet, por institucionet e sistemit kanë nevojë për më shumë mbështetje shoqërore

Ndërtimi i arsimit inkluziv është proces i gjatë dhe kompleks, që nënkupton ngritjen e vazhdueshme të nivelit të mbështetjes, por vetëm me përfshirjen e gjithë shoqërisë në realizimin e të drejtave të fëmijëve me zhvillim atipik u mundëson atyre të fitojnë njohuri dhe shkathtësi dhe të rriten në qytetarë që do të mund të realizojnë veten dhe të kontribuojnë për të gjithë komunitetin. Kështu theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në fjalimin e tij në tryezën e rrumbullakët “Avancimi i cilësisë së arsimit inkluziv për fëmijët me vështirësi” organizuar nga Avokati i Popullit.

“Arsimi inkluziv në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk është vetëm politikë arsimore por edhe praktikë edukative. Gjatë viteve të fundit, si Ministri, kemi investuar shumë në ngritjen e nivelit të inkluzivitetit të sistemit arsimor dhe vendosjen e arsimit të arritshëm, cilësor dhe të drejtë për çdo fëmijë. “Qëllimi ynë është krijimi i sistemit arsimor kombëtar që kujdeset për nevojat e ndryshme të fëmijëve dhe i integron në mësim të rregullt , të përshtatur me aftësitë e tyre”, deklaroi Shaqiri.

Në arsimin e rregullt, në shkollat fillore janë përfshirë gjithsej 911 nxënës me nevoja të veçanta arsimore dhe 312 në arsimin e mesëm. Ky është rezultat i zbatimit të një sërë politikash arsimore aktive të mbështetura nga rritja e vazhdueshme e zërave buxhetor për arsim inkluziv.

Ministri Shaqiri theksoi se Ministria angazhoi 500 asistentë edukativë për të ndihmuar ekipet inkluzive të përbërë nga mësimdhënës, bashkëpunëtor profesional dhe prind. Me trajnimet inkluzive mundësohet mësimdhënie më e mirë për fëmijët me zhvillim atipik, por edhe për fëmijët me zhvillim tipik, sepse asistenca arsimore për herë të parë nënkupton integrimin e nxënësve dhe ndjekjen e programit të përbashkët.

“Duke filluar nga ky vit shkollor, materialet mësimore të klasës së parë dhe të katërt janë të disponueshme në versionin elektronik dhe audio ndërsa për herë të parë edhe në alfabetin Braj për të gjithë nxënësit me shikim të dëmtuar. “Gjatë viteve të ardhshme, në faza, do të bëjmë edhe për klasët e tjera nëntëvjeçare”, theksoi ministri.

Në lidhje me ndryshimin e rolit të shkollave speciale, të cilat tani funksionojnë si shkolla fillore me qendra burimore, Shaqiri shpjegoi se ato janë përgjegjëse të sigurojnë ndihmë dhe mbështetje profesionale për shkollat fillore komunale dhe nxënësit me vështirësi të përfshirë në sistemin e rregullt arsimor. Me mbështetjen teknike të UNDP-së edhe në shkollat e mesme, sipas shembullit të shkollave fillore, implementimi i asistencës arsimore do të fillojë në shtator. Deri më tani janë angazhuar 79 asistentë dhe kanë filluar trajnimet në tri qendrat rajonale për arsim profesional në Ohër, Tetovë dhe Kumanovë për arsim inkluziv.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës po punon vazhdimisht për rritjen e numrit të defektologëve dhe pedagogëve specialë, për trajnimin e mësimdhënësve të cilët punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta arsimore, si dhe për rritjen e numrit dhe aftësimit të asistentëve arsimor. Për përmirësimin e aksesueshmërisë së institucioneve arsimore, është vendosur kusht për miratimin e mjeteve për realizimin e projekteve kapitale, objektet duhet të jenë lehtësisht të aksesueshme për personat me vështirësi.

“Të gjithë ne çdo ditë, duhet të punojmë për të tejkaluar perceptimin ende të pranishëm se këta fëmijë nuk kanë vend në shkollimin e rregullt. Më lejoni t’ju kujtoj se përfshirja e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore në arsimin e rregullt është e mirë për të gjithë fëmijët, sepse ndërton solidaritet dhe pakëson stigmën, dhe njëkohësisht është burim i resurseve për shoqërinë – inkurajon zbulimin e mundësive të reja, si për mësimdhënësit poashtu edhe për bashkëmoshatarët. Që të rritemi në një bashkësi që kujdeset dhe ofron mundësi për ata që janë të ndryshëm nga ne, kushti më i rëndësishëm është që të gjithë të pranojmë se aftësia e kufizuar nuk është barrierë por mundësi”, konludoi Shaqiri.

Në diskutimet për arsimin inkluziv dhe praktikat e mira për realizimin e tij morën pjesë edhe përfaqësues të Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, shkolla fillore me qendra burimore, organizata civile, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale etj.

Related Articles

Na Ndiqni

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

Latest Articles