12 C
Struga
Tuesday, April 23, 2024
spot_img

RMV sheh nga BE, Grubi: S’kemi kohë për aventura, nevojitet stabilitet institucional

Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi thotë se vendi nuk ka kohë për aventura politike dhe përqendrimi duhet të jetë në zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë çka pastaj e zhbllokon rrugën evropiane. Grubi shprehet optimist se në një afat të shkurtër kohor Maqedonia do të mund të hap negociatat me Bashkimin Evropian, por thotë se për të arritur këtë, vendi duhet të ketë stabilitet institucional duke kundërshtuar këtu mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Në një intervistë për KosovaPress, Grubi ndër të tjera flet edhe për pozitën që do ta ketë BDI në qeverinë e re dhe për nismën rajonale “Open Ballkan”.

Grubi deklaroi se posti i zëvendëskryeministrit të parë në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut do t’i takojë prapë Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Derisa socialdemokratët e LSDM-së do të ndërrojnë disa nga ministrat, BDI nuk do të ketë ndryshime në përbërjen e re të kabinetit qeveritar përveç që pritet të marrë edhe drejtimin e Ministrisë së Arsimit.

Grubi: BDI do t’i mbajë të njëjtat pozicione edhe në qeverinë e re

“BDI do të jetë po në këto pozicione të cilat i ka, të cilat janë shumë afirmative, shumë dobiprurëse për qytetarët me pozitën të cilën unë ushtroj të zëvendëskryeministrit të parë, me ministrin e Jashtëm, ministrin e Financave, ministrin e Ekonomisë, me ministrin e Ambientit, por kemi vetëm një ndryshim, tek ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë e këmbejmë me gjasë me Ministrinë e Arsimit që do të thotë do të marrim një ministri të cilën e kemi drejtuar edhe më herët por të cilën e kishim edhe synim… Po të njëjtat pozita ne i mbajmë, ndryshimi do të ndodh në LSDM me kryeministrin, Dimitar Kovaçevski në vend të Zoran Zaev, por sipas paralajmërimeve ata do të bëjnë edhe ndryshime të tjera në shumë prej ministrive”, thotë Grubi.

Ndryshimet në skenën politike në vendin fqinj erdhën pasi Lëvizja Besa braktisi koalicionin qeveritar e duke bërë që pozita dhe opozita të kishin numër të njëjtë deputetësh në Kuvend. Mirëpo, Alternativa me katër deputetët e saj vendosi t’i bashkohet koalicionit duke rikthyer numrat në favor të koalicionit aktual qeveritar.

Lëkundjet në koalicion erdhën si pasojë e rezultatit të dobët në zgjedhje lokale ku edhe vet kreu i qeverisë Zoran Zaev dha dorëheqje, veprim ky që u kundërshtua nga BDI.

Grubi thotë se zgjedhjet e parakohshme dhe krizat politike do të kishin ndikuar në ngecjen e proceseve që lidhen me hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Maqedonia e Veriut ndodhet para caktimit të datës për mbajtjen e mbledhjes së parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, çka shënon edhe hapjen e negociatave dhe miratimin e kornizës negociuese me BE-në. Në të njëjtën pikë është edhe Shqipëria që ka ngecur si pasojë e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut.

Grubi: Na duhet stabilitet institucional për rrugën drejt Bashkimit Evropian

“Kjo (hapja e negociatave me BE-në) po pengohet nga Bullgaria për arsye të kontestit në lidhje me zbatimin e marrëveshjes të 2 gushtit të vitit 2017 dhe po shpresojmë që kjo të tejkalohet sa më shpejtë. Për të arritur këtë neve na duhet stabilitet institucional në Kuvend, në Qeveri dhe që ta di Sofja pas zgjedhjes së qeverisë së re atje në Republikën e Bullgarisë që e ka një partner në Shkup me të cilin mund të sjellë vendime dhe ta zhbllokojë ecurinë tonë drejt Bashkimit Evropian”, thotë Grubi.

Grubi shprehet optimist se në pranverën e hershme të këtij viti do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.

Grubi: Nuk kemi kohë për aventura politike

“Përkundër kësaj çështje me Bullgarinë, që është jetike për të ardhmen e vendit, kemi edhe krizën energjetike siç e keni edhe ju në Kosovë, siç është gjithandej në Evropë, kemi krizën shëndetësore si dhe krizën me migrantët dhe nuk kemi kohë për aventura dhe për paparashikueshëmri institucionale politike për qytetarët tanë në të ardhmen e afërt. Jemi optimistë për tejkalimin e kontestit me Bullgarinë për arsye se tashmë i jemi përgjigjur pesë pyetjeve të tyre, ose pesë çështjeve të cilat ata i ngrisin në rezolutën e miratuar në Kuvendin bullgar dhe po shpresojmë që në bazë të këtyre dy qëndrimeve të Sofjes dhe të Shkupit, dhe të përgjigjeve tona ndaj çështjeve të tyre, të ulemi në një tryezë bisedimesh në mënyrë intensive, t’i harmonizojmë qëndrimet, t’i përafrojmë dhe të largohet bllokimi bullgar nga rrugëtimi ynë evropian”, thotë zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut.

Grubi flet edhe për marrëveshjen me partnerin e koalicionit LSDM-në, lidhur me drejtimin e qeverisë nga një kryeministër shqiptar në 100-ditëshin e fundit të qeverisjes.

Ai thotë se atë do ta përcaktojë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe se me këtë do të dëshmohet se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut mund të mbajnë edhe postin e kryeministrit dhe të presidentit.

Grubi: Nisma për një kryeministër shqiptar nuk është vetëm simbolike

“Janë zotuar publikisht dhe nuk e besoj që kushdo qoftë, cilado qoftë parti politike shqiptare, nuk do të kishte guximin që të mos votojë një kandidat shqiptar për herë të parë të zgjidhet kryeministër në Kuvendin tonë me votat në Kuvend, prandaj nuk shoh sfidë të veçantë, nuk shoh sfidë të veçantë as të VMRO-DPMNE sepse edhe ata kanë gatishmëri ta votojnë një shqiptar për kryeministër në këtë vend, në veçanti në 100-ditëshin e fundit të kësaj qeverisje. Kjo nismë është më shumë se simbolike, po të ishte vetëm një ditë do të ishte simbolike, por 100 ditë nuk janë pak para zgjedhjeve, sigurisht janë edhe 60 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve deri në zgjedhjen e qeverisë së re për arsye të negociatave por do të vendoset një rregull i ri, do të vendosë një realitet të ri në vendin tonë dhe të shihet që ka paanshmëri të gjerë nga e gjithë shoqëria për të pasur një shqiptar në krye të qeverisë”, thotë ai.

Duke folur për nismën rajonale “Open Ballkan”, në të cilën aktualisht bëjnë pjesë vetëm Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, Grubi thotë se të gjitha mospajtimet dhe refuzimet duhet të diskutohen në tavolinë.

Grubi: Refuzimet dhe mospajtimet për Ballkanin e Hapur të bëhen me pjesëmarrje në tavolinë

“Secili prej këtyre gjashtë vendeve, mendimin të cilin e ka në kuadër të forumit në tavolinë, qoftë edhe mospajtimin më të madh, qoftë edhe refuzimin por të thuhet në tavolinë me të gjitha arsyet të cilat mund t’i kenë. Me sa kam biseduar unë me miqtë tanë në Kosovë, autoritetet, edhe nga qeveria e kaluar edhe nga qeveria aktuale, me shumë refuzimet apo vërejtjet nga Kosova vijnë për nga forma për arsye se lindja e kësaj ideje të minishengenit fillimisht apo të Ballkanit të Hapur erdhi nga ai takimi në Nish pa përfshirjen e të gjithë të tjerëve dhe pa konsultimin e të gjithë të tjerëve. Por insistimi ynë, nëse ju kujtohet qysh atëherë, ka qenë që kjo nismë mund të ketë përkrahjen edhe tonën vetëm nëse e ka përkrahjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që edhe ndodhi, si dhe me përfshirjen e barabartë të Kosovës si shtet i pavarur, i njohur nga të gjithë ne dhe i barabartë në tavolinën e bisedimeve për Ballkanin e Hapur”, thotë Grubi.

Grubi thotë se Kosova duhet të jetë anëtar i barabartë i Ballkanit të Hapur derisa shton se çështja me Serbinë duhet të mbyllet vetëm me njohje reciproke.

Grubi: Republika e Kosovës është realitet, ka ardhur koha që Serbia ta njeh këtë

“Shpresoj në dialog intensiv midis Prishtinës dhe Beogradit, respektimin e marrëveshjeve nga të dy palët si dhe zbatimin e tyre por edhe përmbylljen e këtij dialogu me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, me njohje absolute reciproke midis të dy vendeve. Republika e Kosovës është realitet, është shtet i pavarur, e ka njohjen edhe të Shqipërisë, edhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, edhe të Malit të Zi, prandaj ka ardhur koha që edhe Republika e Serbisë ta njeh këtë realitet se Kosova nuk i takon Serbisë por është shtet i pavarur dhe duhet ta njoh ditë më parë në mënyrë që të sjell siguri, stabilitet, paqe në gjithë rajonin dhe ta mundësoj zhvillimin ekonomik të rajonit pas pengesa të tilla politike”, thotë ai.

Zëvendëskryeministri i parë në Maqedoninë e Veriut thotë se janë të interesuar që të heqin në tërësi kufirin me Kosovën por që fillimisht janë duke punuar për të pasur një kalim-kontroll të vetëm kufitar.

Related Articles

Na Ndiqni

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

Latest Articles