21 C
Struga
Wednesday, July 24, 2024
spot_img

Rama: Greqia të heqë ligjin e luftës, të mos na pengojë në BE. Beleri u godit nga SPAK njësoj si ministrat e mi

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Greqia duhet të largojë një herë e përgjithmonë ligjin e luftës. Duke folur në një intervistë për televizionin grek “ERT”, Rama vuri në dukje se qëndrimi i Athinës duke mbajtur në fuqi ligjin e luftës është një arkaizëm i madh.

Sipas meje, kjo është tërësisht e pavërtetë në terrenin e fakteve. Ka 80 vite që ka mbaruar Lufta e Dytë Botërore dhe akoma sot Greqia ka në fuqi ligjin e luftës, gjë që është një arkaizëm i madh dhe gjë për të cilën ne jemi shumë të interesuar që ta shohim të largohet një herë e përgjithmonë nga rruga jonë e përbashkët,” u shpreh Rama.

Kryeministri është ndalur edhe tek çështja “Beleri” për të cilin ka theksuar se ai “duhet të jetë i barabartë përpara ligjit si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, por njëkohësisht duhet të përgjigjet përpara ligjit si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe nuk mund të ketë dy drejtësi, një drejtësi për qytetarët shqiptarë me kombësi shqiptare dhe një tjetër për qytetarët shqiptarë me kombësi greke”.

Rama iu përgjigj pyetjes nëse interpretohet qëndrimi i kryeministrit ndaj çështjes “Beleri” “si dëshirë për kohëzgjatjen e paraburgimit të zotit Beleri, në mënyrë që ai të humbasë datën për t’u betuar, pra për të humbur dhe postin”.

Sipas Ramës, SPAK-u nuk ka vepruar vetëm në rastin e Fredi Belerit, por edhe ndaj ish-ministrave të tij, si në rastin e Arben Ahmetajt, i cili ndodhet në kërkim nga drejtësia shqiptare për aferën e incineratorëve.

“… Sot kjo drejtësi nuk është në aktin e vetë të parë me zotërinë për të cilin është shqetësuar Athina zyrtare, por ky është njëri nga hallkat e zinxhirit të krijuar të këtyre akteve të goditjes së problemeve me të cilat ajo merret të njerëzve shumë pranë pushtetit.

Sot ish-zëvendësi im është në kërkim. Janë 4 apo 5 kryetarë bashkish të Partisë Socialiste që janë në paraburgim, në pritje të daljes në gjyq për të njëjtën arsye:Vullnetin e kësaj drejtësie për të goditur pa parë se çfarë ngjyre ka, se afër kujt është apo se kë po lëndon nga pikëpamja politike apo nga pikëpamja financiare,” thekson Rama.

Rama vuri në dukje se nëse Greqia do të pengojë Shqipërinë në procesin e integrimit për çështjen “Beleri” atëherë kjo do të ishte një sjellje joeuropiane e Athinës zyrtare.

Greqia apo Athina mendon se topi është në këtë zyrë për këtë çështje, duke lënë të nënkuptohet që nëse topi nuk shkon në atë drejtim ku e do Athina, Athina do të hakmerret me Shqipërinë, duke penguar procesin e anëtarësimit në BE, – kjo është joeuropiane dhe kjo është shumë antike sipas meje,” tha Rama.

Gjithashtu Rama u pyet nëse çështja “Beleri” “do të ketë ndikimin në përcaktimin e kufirit detar në Hagë midis dy shteteve?”

Kryeministri u përgjigj: “Interesat tona strategjike përputhen plotësisht me domosdoshmërinë e një marrëdhënieje miqësore dhe të një partneriteti strategjik me Greqinë. Kështu që për të gjitha problemet, që nga kufiri detar, deri tek heqja e ligjit të luftës nga Greqia, unë vazhdoj të mbetem shumë i angazhuar dhe po ashtu, edhe për miqësinë me kryeministrin e Greqisë, unë vazhdoj të jem besimplotë dhe plotësisht i angazhuar.”

Related Articles

Na Ndiqni

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

Latest Articles