6 C
Struga
Sunday, April 28, 2024
spot_img

Pushtimi i Ukrainës do të sillte epokë të re pasigurie në Evropën Lindore

Perspektiva e pushtimit rus të Ukrainës ka rritur alarmin në rajon, duke kërcënuar të zhysë 44 milionë banorët e vendit edhe më tej në kthetrat e konfliktit.

Por një lëvizje e Kremlinit do të kishte pasoja përtej kufirit të përbashkët të të dy vendeve, shkruan televizioni amerikan në një analizë zhvillimeve të fundit.

Ekspertët kanë frikë se kjo mund të sjellë një epokë të re pasigurie në Evropën Lindore, të prishë zinxhirët e furnizimit dhe ekonominë globale dhe të detyrojë një ndryshim në ndikimin gjeopolitik që dëmton besueshmërinë e Perëndimit.

Këto frikë ende mund të shmangeshin, shkruan CNN, duke shtuar se Qeveria ukrainase po minimizon rreziqet e menjëhershme të një pushtimi në shkallë të plotë, edhe pse zyrtarët nga të gjitha anët përpiqen të gjejnë një zgjidhje diplomatike, edhe pse Biden paralajmëron se Ukraina është shumë afër luftës.

Nëse ndodh një inkursion, është e paqartë se çfarë forme do të kishte — dhe parashikimi i synimeve të presidentit rus, Vladimir Putin, është një ushtrim jashtëzakonisht i pamatur.

“Çdo luftë bashkëkohore do të ishte e tmerrshme, por ka shkallë të tmerrit”, tha Nigel Gould-Davies, ish-ambasador britanik në Bjellorusi, i cili tani është bashkëpunëtor i lartë për Rusinë dhe Euroazinë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS).

Efektiviteti i një reagimi të udhëhequr nga NATO-ja është gjithashtu thelbësor në përcaktimin se sa të gjata dhe të gjera do të ishin ndikimet e çdo pushtimi, bien dakord analistët në shkrimin e televizionin amerikan.

“Por çdo lëvizje ruse do të ishte një provë e vendosmërisë së vendeve perëndimore dhe do të përbënte një sërë pasigurish ekonomike dhe sigurie”, vlerëson CNN.

“Kjo është lehtësisht kriza më serioze e sigurisë në Evropë që nga vitet 1980”, ka thënë Gould-Davies.

NATO nuk dërgon trupa në Ukrainë

“Rusia dhe Perëndimi kanë mosmarrëveshje kaq thelbësore mbi botëkuptimin, dhe kjo mosmarrëveshje themelore është fshehur nën qilim prej vitesh”, shtoi James Nixey, drejtor i programit Rusi-Euroazi në Institutin Chatham House me qendër në Londër.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca ushtarake e Perëndimit nuk do të dërgojë trupa luftarake në Ukrainë, në rast se Rusia e pushton këtë shtet.

“Ne nuk planifikojmë të dërgojmë trupa luftarake të NATO-s në Ukrainë… ne jemi duke u fokusuar në ofrim të mbështetjes”, ka thënë Stoltenberg gjatë një interviste për transmetuesin britanik BBC, më 30 janar. “Ka dallim në mes të një vendi që është anëtar i NATO-s dhe një vendi të vlefshëm partner, siç është Ukraina”.

Komentet e Stoltenbergut kanë ardhur në kohën e rritjes së tensioneve në mes të NATO-s dhe Moskës, pasi Rusia ka pozicionuar më shumë se 100 mijë trupa afër kufirit të Ukrainës, çka ka rritur shqetësimet për pushtim.

Kremlini, i cili ka mohuar planet për pushtim sikurse më 2014 kur ka marrë kontrollin e Gadishullit ukrainas të Krimesë, ka insistuar në negociatat e fundit me Uashingtonin dhe NATO-n për disa garanci që Ukraina dhe ish-vendet e Bashkimit Sovjetik të mos anëtarësohen në aleancën e Perëndimit.

Ukraina synon anëtarësimin në NATO, por ende nuk ka plan veprimi për anëtarësim, çka do t’i prezantonte kushtet për t’u bërë pjesë e saj.

Politika e “dyerve të hapura” përballë kërcënimit rus

NATO-ja ka thënë se politika e saj “për dyer të hapura” nuk negociohet, dhe Uashingtoni ka theksuar se shtetet sovrane kanë të drejtë të vendosin vetë për aleancat e tyre ushtarake.

Pas përgjigjes së SHBA-së ndaj kërkesave të Moskës, presidenti Putin i ka thënë homologut të tij francez, Emmanuel Macron, më 28 janar se i është dukur se Perëndimi i ka “injoruar” shqetësimet e Moskës për siguri.

NATO-ja ka thënë se është e përgatitur për të rritur prezencën në vendet anëtare të Evropës Lindore nëse Rusia e pushton Ukrainën, dhe disa vende anëtare të aleancës kanë ofruar pajisje ushtarake për Kievin.

Uashingtoni ka thënë se synon zgjidhje diplomatike për krizën dhe se Rusia duhet ta largojë prezencën ushtarake afër kufirit me Ukrainën.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se pret ta takojë sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në javët e ardhshme për një tjetër rund negociatash, mirëpo Putini do të vendosë si të përgjigjet ndaj pozicionit amerikan për kërkesat e Moskës.

Moska ka mbështetur separatistët në luftën në lindje të Ukrainës, e cila ka marrë jetën e më shumë se 13.200 personave prej vitit 2014, vit i njëjtë kur Rusia ka aneksuar Krimenë.

Pushtimi, kërcënim real

Televizioni shtetëror rus ka emetuar pamje të bombarduesve ‘Sukhoi”, që janë dërguar në enklavën e Kaliningradit në kohën e tensioneve të larta gjeopolitike me shtetet perëndimore. Katër aeroplanët luftarakë janë vendosur në bazën ajrore Çerniakovsk, duke fuqizuar edhe më shumë flotën ruse në Baltik. Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, bombarduesit e rinj multidimensionalë kanë motorë më modernë krahasuar me modelet e vjetra SU-30.

Në të njëjtën ditë, Britania e Madhe ka pranuar se ka “kërcënim real” të pushtimit rus të Ukrainë, duke njoftuar se trupat britanike “me gjasë” nuk do të dërgohen për të luftuar në asnjë konflikt.

Sekretarja e Punëve të Jashtme, Liz Truss, ka thënë se në vend të kësaj, Britania po i dërgon armë Ukrainës dhe po fuqizon sanksionet me qëllim që oligarkët e Kremlinit të mos mund të fshihen askund. Ajo ka thënë se Britania e Madhe po ofron ndihmë shtesë për aleatët e afërt të NATO-s. Por ka pranuar se pushtimi i Ukrainës do të ishte i tmerrshëm për Evropën.

Rusia ka vendosur më shumë se 100 mijë trupa, tanke, artileri dhe raketa në kufi me Ukrainën, por mohon se do ta pushtojë ish-republikën sovjetike që kufizohet me Rusinë dhe Bashkimin Evropian.

Në Ukrainë, Lëvizja Azov ka nisur trajnimet ushtarake për vullnetarët në Kiev. Ata po mësohen si të vetëmbrohen në rast të sulmit nga Rusia. Trajnimi me sloganin “Mos bëj panik, bëhu gati!” është mbajtur në periferi të Kievit, me pjesëmarrje të qindra vullnetarëve.

Related Articles

Na Ndiqni

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

Latest Articles