28 C
Struga
Thursday, July 25, 2024
spot_img

Pasuria nëntokësore në Shpirag/ Rama: Investimi në total 7 miliardë Euro, nafta është e cilësisë premium

Sot, jam këtu bashkë Ministren e Energjisë dhe të Infrastrukturës për të folur për zbulimin e rëndësishëm i cili mund të ketë një impakt historik në zhvillimin ekonomik, social, por jo vetëm kaq, edhe në pozicionin gjeopolitik dhe gjeostrategjik të Shqipërisë.

Siç e komunikuam pak dje, jemi në një fazë shumë të  avancuar të një përpjekje që zgjat prej thuajse 10 vjetësh dhe në prag të testimit përfundimtar, i cili është i domosdoshëm për të vlerësuar qëndrueshmërinë e presionit të fluksit të gazit dhe të naftës që mund të nxirret nga nëntoka. Kjo do të thotë që rezerva është aty në 6002 metra në thellësi të tokës. Është prekur rezerva, pas një eksplorimi shumë të vështirë për shkak të formacionit gjeologjik të zonës dhe një investimi masiv të bërë për shkak të thyerjes së përsëritur të sondave si rezultat i formacionit gjeologjik.

Lajmi interesant është që ende nuk është cekur uji, i cili është nën rezervën, çka prezumon se madhësia e rezervës mund të jetë edhe më madhe. Nuk jemi në kushtet kur mund të flasim për shifra konkrete sepse do të ishte e gabuar.

Informacionet në këtë fazë janë jo vetëm konfidenciale, por konfidencialiteti i tyre lidhet pikërisht me atë që thashë më parë, që pa marrë rezultatin e testit final që praktikisht përcakton nëse nxjerrja e kësaj pasurie është e arsyeshme nga pikëpamja financiare, sepse nëse financiarisht ky proces do të ishte më i kushtueshëm sesa përfitimi, atëherë kuptohet që rezerva është aty, mbetet aty për një kohë tjetër kur teknologjia mund të avancojë në përmasa që sot nuk janë edhe pse aty kompania Shell ka përdorur teknologjinë më të fundit dhe për nga gjithë aspekti i funksionimit teknik, ajo që po bëhet në Shpirag është fjala e fundit në industrinë gaz dhe naftë nxjerrëse botërore.

Paralelisht me përgatitjen për testin i cili do të fillojë në tetor dhe rezultatet e testit bazohen në gjetjen e qëndrueshmërisë së fluksit që del mbi sipërfaqe, për çka normalisht përdoret një periudhë 2 deri 3 mujore, po përgatiten dhe plani masiv i investimit sepse gjithë ajo rezervë për t’u nxjerrë sipër, duhet pastaj të hyjë në infrastrukturën përkatëse, për ta transportuar sasinë e gazit dhe të naftës dhe për ta nxjerrë atë në tregun vendas, patjetër dhe në atë botëror.

Lajmi tjetër fantastik është që nafta e zbuluar është e cilësisë më të lartë. Është hera e parë që kjo ndodh në vendin tonë sepse burimet e naftës që janë zbuluar në të shkuarën dhe që janë shfrytëzuar dhe shfrytëzohen akoma siç është për shembull, Patos – Marinza, janë burime të një nafte të rëndë që si e tillë përdoret për bitum, solar, por nuk është një naftë që mund të hyjë në konsumin e automjeteve dhe vlera e saj është shumë modeste. Ndërkohë që sipas analizave të bëra bën laboratorin e Holandës, nafta e zbuluar në zonën e Shpiragut është një naftë e të njëjtës cilësi me naftën premium të Arabisë Saudite.

Investimi i parashikuar dhe projekti që do të realizohet nga kompania nis me 3 miliardë euro dhe projeksioni është që deri në përfundim të të gjithë infrastrukturës së nevojshme pasi do të fillojë puna për një sërë shpimesh për të krijuar gjithë kompleksin e nevojshëm për nxjerrjen e kësaj pasurie, është 7 miliardë euro investime në vendin tonë. Një investim që parashikon ndërtimin e gjithë infrastrukturës dhe logjistikës për depozitimin e rezervës, ndarjen në gaz, në naftë dhe në sulfur dhe kjo e treta ka një rëndësi të veçantë sepse krijon një bazë qoftë për prodhimin e imputeve bujqësore, qoftë për prodhimet kozmetike, bazë që Shqipëria mundet ta shfrytëzojë për të ndërtuar një komponent të ri industrial që sot na mungon.

Ajo që është e rëndësishme sot të thuhet është se ndërkohë ne kemi filluar prej rreth një viti punën për konceptimin dhe ngritjen e fondit sovran të Republikës së Shqipërisë. Vendet që gëzojnë pasuri të tilla natyrore kanë fondet e tyre sovrane që janë fonde që administrojnë këto pasuri dhe qëllimi kryesor i yni me ngritjen e fondit sovran, është balancimi midis shfrytëzimit aktual të të ardhurave nga rezerva dhe vënies në dispozicion një pjese të të ardhurave për të ardhmen, që do të thotë për gjeneratat e tjera.

Ne jemi në një proces pune konkrete, të konsultuar me fondin sovran të Norvegjisë, i cili ndryshe quhet fondi i pensioneve të Norvegjisë dhe natyrisht që fondi ynë sovran do të ketë një profil i cili do të integrojë domosdoshmërinë për mbështetjen e pensionistëve dhe për balancimin e gjithë barrës së tmerrshme të trashëguar nga e shkuara me parimin etik që kjo pasuri është qoftë e atyre që jetuan dhe punuan në këtë vend dhe nuk patën pjesën e tyre në të, por qoftë dhe e atyre që lindin sot në këtë vend dhe kanë të drejtën të kenë pjesën e tyre në të.

Fondi sovran është po ashtu një fond investimesh, i cili një pjesë të të ardhurave e vendos për t’i shumëfishuar ato në tregun ndërkombëtar dhe paralelisht ne po punojmë me qendrën për zhvillim ndërkombëtar të universitetit të Harvardit me të cilën kemi prej kohësh një marrëdhënie pune shumë të dobishme dhe kemi angazhuar të gjitha kontaktet tona edhe me fondet e tjera të Arabisë Saudite, të Azerbajxhanit, të Emirateve e kështu me radhë.

Ky është një zhvillim siç thashë i jashtëzakonshëm, i shumëpritur, por nuk është gjithçka sepse ndërkohë në Shqipëri ka filluar eksplorimi i fushës së Dumresë ku një tjetër kolos global në fushën e shfrytëzimit të burimeve nëntokësore natyrore, kompania italiane ‘’Eni’’ është në punë. Edhe aty kemi të dhëna shumë optimiste dhe inkurajuese, por puna është në një stad pak më fillestar sepse kompania hyri në punë para pandemisë, por pandemia solli një bllokim të gjatë të gjithë procesit.

Besoj shumë që impakti i gjithë kësaj zone të re po themi, të pashfrytëzuar të potencialit tonë ekonomik duhet të jetë i jashtëzakonshëm. Në të gjitha rastet, ne sot kemi në dispozicion skenarë të ndryshëm sepse deri tani asgjë nuk është e parashikuar dhe e parashikueshme, por edhe nëse nisemi nga skenari më konservator, përfitimi përsëri është shumë i konsiderueshëm. Është praktikisht një burim i ri masiv investimi dhe financimi në organizmin e ekonomisë shqiptare.

Related Articles

Na Ndiqni

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

Latest Articles