8.6 C
Struga
Monday, February 26, 2024
spot_img

“Nëse nuk sillen me përgjegjësi, rishikojmë vendimin për vizat”, Vjosa Osmani i kthehet Macron: Pezullimi i tyre vret dialogun një herë e përgjithmonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo i ka bërë këto deklarata, duke iu referuar qëndrimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ka thënë më 28 gusht se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, ka thënë Osmani në një vizite te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.

Osmani ka thënë se Kosova ka arritur pajtueshmëri me Bashkimin Evropian për shtensionim të situatës në veri qysh më 10 korrik në Bratislavë.

Ajo e ka përmendur që marrëveshja parasheh zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në dhe rreth ndërtesave komunale në veri, hap që ajo ka thënë se Kosova e ka bërë, dhe se është duke u punuar në organizimin e zgjedhjeve të reja.

Sipas Osmanit, baza ligjore për mbajtje të këtyre zgjedhjeve do të jetë gati më 1 shtator, dhe kështu ka thënë se pret që BE-ja t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ajo i ka vlerësuar si të padrejta dhe joproporcionale.

Një tjetër pikë e marrëveshjes së Bratisllavës parasheh edhe kthimin sa më të shpejtë në dialog në nivel të lartë mes Kosovës dhe Serbisë.

Osmani ka thënë se pret lëvizje në këtë drejtim në shtator.

Për dialogun kanë diskutuar më 28 gusht edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të larta në maj të këtij viti, meqë banorët e komunave veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunave.

Banorët e këtyre komunave me shumicë serbe kanë protestuar me javë para ndërtesave dhe me raste situata është përshkallëzuar në dhunë.

Related Articles

Na Ndiqni

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

Latest Articles