Sipas operatorit të qendrës së thirrjes ‘Dua të jetoj’ në Ukrainë, mbi 4300 ushtarë rus në front kanë kontaktuar me ta për t’u dorëzuar. Beteja më e rëndë po zhvillohet në frontin lindor për rajonin e Donbas dhe humbjet janë shumë të rënda për rusët.
Zëdhënësi i këtij projekti Vitaly Matvienko ka deklaruar se tashmë kanë një numër të konsiderueshëm të ushtarëve rus që duan të dorëzohen.
Ai ka shtuar se rastet e këtyre mbi 4300 ushtarëve rus që janë paraqitur po trajtohen me kujdes që t’iu mundësohet dorëzim i sigurt, kur dihet brutaliteti rus edhe ndaj ushtarëve të tyre.
Sipas raporteve beteja në frontin lindor të Ukrainës ka qenë jashtëzakonisht brutale në qytetin e Bakhmut dhe në betejën për autostradën Svatove dhe Kreminna në Donbas. Kjo vijë e frontit po mbrohet nga sulmet e furishme ukrainase me këmbëngulje prej ushtrisë ruse, pasi humbja e kontrollit të kësaj autostrade i detyron rusët të tërhiqen mbrapsht 30 kilometra, e që do të ishte edhe një humbje turpshme për ta. Poashtu do të rrezikoheshin edhe qytetet e pushtuara me shumë humbje nga rusët këtë verë, Lysychansk dhe Severodonetsk.
Në Bakhmut ku operon kompania mercenare ruse Wagner, e njohur për mizorinë e saj dhe më në veri, Svatove dhe Kreminna, është raportuar për raste të brutalitetit të jashtëzakonshëm të oficerëve rus ndaj ushtarëve të tyre duke i detyruar të hedhen në sulm të pakuptimtë nën kërcënimin e vrasjes si dezertorë në rast të tërheqjes.
Sipas raporteve të parët që hidhen në front janë të mobilizuarit rishtas, të papërvojë të pajisur keq, e pas tyre vijnë njësitet profesionale të ushtrisë ruse të gatshëm e të urdhëruar për të qëlluar mbi bashkëluftëtarët e tyre në rast se tërhiqen.