-5 C
Struga
Monday, January 24, 2022
spot_img

Bota duhet të mësojë të bashkëjetojë edhe këtë vit me Covid-19

Omicron, deri më sot varianti më infektiv i koronavirusit, po përhapet aq shpejt në mbarë botën, saqë është shumë e lehtë të ndihesh i dëshpëruar mbi perspektivat e largëta të zbutjes disi të pandemisë, dhe lëre më pastaj të fundit të saj brenda vitit 2022.

E megjithatë ka arsye të forta të mendohet se pesha e Covid-19 në shëndetin global, dhe ndikimi i tij më i gjerë në fushën sociale dhe ekonomike mund të zbehet këtë vit, në rast se qeveritë dhe autoritetet shëndetësore do të ndjekin politikat e duhura, dhe nëse ky virus shumë dinak dhe i paqëndrueshëm, zhvillohet në mënyrën që parashikohet nga shumë shkencëtarë dhe ekspertë.

Aktualisht ka një debat në rritje, midis atyre që mendojnë se patogjenët e rinj si Sars-Cov-2, priren me kalimin e kohës të shkaktojnë sëmundje më të lehta, dhe atyre që mendojnë se viruset të tilla kanë po aq gjasa të evoluojnë në një drejtim më virulent.

Pa marrë anë në këtë debat, është e arsyeshme të arrihet në përfundimin se ndërveprimi midis virusit dhe sistemit imunitar të njeriut, do të thotë se sa më shumë njerëz që kanë një mbrojtje kundër simptomave të rënda të Covid-19 përmes vaksinimit apo infektimit me të, aq më e mirë është edhe perspektiva.

Asnjë pasardhës i mundshëm i Sars-Cov-2, nuk mund të ketë mjaftueshëm mutacione në vendet e duhura, për t’i shpëtuar plotësisht vëmendjes së antitrupave dhe qelizave T, të krijuara nga ekspozimi paraprak ndaj një varianti të mëparshëm.

Prandaj, përparësia kryesore është vaksinimi i të gjithë banorëve të botës, siç duhet të ishte edhe gjatë vitit të kaluar. Mjerisht, pabarazia e shpërndarjes së vaksinës kundër Covid-19 nuk ka qenë kurrë më e madhe.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri tani vetëm 10 për qind e popullsisë në vendet me të ardhura të ulëta ka marrë të paktën një dozë vaksine, në një kohë që qytetarët në vendet e pasura po marrin vaksinën e tretë apo edhe të katërt.

Siç thotë OBSH-ja, me prodhimin global të vaksinave që është afro 1.5 miliardë doza në muaj, do të ketë mjaftueshëm vaksina për të vazhduar me vaksinimet përforcuese, duke çuar shumë më tepër furnizime në vendet më të varfra se sa në vitin 2021, përmes skemave të tilla si COVAX.

Megjithëse vendet e industrializuara janë të justifikuara që të mbrojnë popullsinë e tyre me doza përforcuese për të rriturit, dhe fushatat për ta shtrirë vaksinimin tek fëmijët, ne nuk mund të presim që të vazhdojmë të vaksinojmë njerëzit çdo 4-6 muaj për shumë kohë për të përballuar përhapjen e varianteve të reja.

Ne do të duhet të mbështetemi tek imuniteti i siguruar nga vaksinimet vjetore – mundësisht me një gjeneratë e re produktesh, të cilat janë efektive kundër të gjitha varianteve të koronavirusit – dhe nga ekspozimi i përsëritur ndaj atij që herët a vonë do të bëhet një infeksion endemik.

Qeveritë dhe entet rregullatore, duhet të inkurajojnë zhvillimin e teknologjive të reja të vaksinave, për të plotësuar monopolin që gëzojnë Moderna dhe BioNTech/Pfizer në botën e zhvilluar me produktet e tyre mRNA. Njëkohësisht, duhen më shumë investime në drejtim të prodhimit të barnave antivirale, të cilat mund të luajnë një rol më të madh në zvogëlimin e simptomave tek ata që janë të infektuar me Covid-19.

Një fushë tjetër jetike ku duhen investime është diagnostikimi dhe mbikëqyrja. Këtu kërkesat variojnë nga sigurimi i mjaftueshëm i testeve të shpejta për njerëzit që duhet të verifikojnë nëse janë të infektuar përpara se të takohen me të tjerët, deri në ndërtimin e më shumë kapaciteteve për sekuencimin gjenomik të koronavirusit në mbarë botën, për të monitoruar shfaqjen e varianteve të reja.

Çfarëdolloj mundësish të pakta që mund të kishim në fillim të vitit 2020 për të eliminuar Covid-19, ato kanë kohë që kanë ikur. Përpjekjet për ta vënë nën kontroll pandeminë, janë justifikuar deri më tani në kontekstin e një emergjence shëndetësore globale, por ato nuk mund të vazhdojnë pafundësisht.

Dëmi anësor – për shëndetin dhe mirëqenien mendore, kohezionin social dhe ekonominë globale – do të ishte shumë i madh. Këtë vit bota do të duhet të ndërtojë një lloj elasticiteti, që ne të mundemi të bashkëjetojmë me Sars-Cov-2 dhe pasardhësit e tij, në një mënyrë që të na shkaktojë më pak përçarje, duke mbrojtur ata që janë më të cenueshëm.

Related Articles

Na Ndiqni

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

Latest Articles