Bashkimi Demokratik për Integrim mbështet dhe angazhohet fuqishëm për
zbatimin e politikave dhe synimeve globale të mbrojtjes së ambientit
jetësor nga ndryshimet klimatike. Në kuadër të Samitit të Klimës #COP26
në Glasgow u prezantuan veprimet dhe ambiciet nacionale klimatike që
janë të lidhura ngushtë me agjendën e blertë si orientim programor i
Qeverisë dhe Bashkimit Demokratik për Integrim.
Në programin disa ditor të negociatave për klimën, do të prezantohet
edhe Kontributi i Rishikuar Kombëtar i Republikës së Maqedonisë së
Veriut, i cili njihet si një nga kontributet më ambicioze të rishikuara
në Marrëveshjen e Parisit.
Republika e Maqedonisë së Veriut angazhohet të reduktojë emetimet e
gazrave serë me 51% ose të shprehura në emetimet neto, në vitin 2030 një
ulje prej 82% krahasuar me nivelet nga vitet e kaluara.
Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se një arritje tjetër shumë e
madhe për një mjedis më të mirë e më të pastër është edhe angazhimi për
kufizimin e emetimeve të metanit, bazuar në politikat dhe masat e
analizuara dhe të miratuara më parë në dokumentet strategjike klimatike.
Samitin e Klimës në Glasgow e vlerësojmë si një mundësi të mirë për
zhvillimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për përballjen më
efikase me sfidat e përbashkëta të ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjes
së ambientit jetësor.