23 C
Struga
Monday, May 20, 2024
spot_img

5 Shtatori, Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës

Si sot shtatë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall e shenjtë nga Papa Françesku.

Shenjtërimi i Nënë Terezës, më 4 shtator 2016, e bëri murgeshën shqiptare të pavdekshme në sytë e katolikëve, por edhe të gjithë botës.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, emër të cilin e ndërroi në Nënë Tereza, lindi më 1910 nga prindër shqiptarë.

Në moshën 18-vjeçare ajo u largua nga Shkupi, Maqedonia e Veriut, për t’ju bashkuar Motrave Loreto në Irlandë, dhe prej asaj dite nuk do i shihte më prindërit.

Misioni i saj u transferua në Kalkutë. Aty ajo ndjeu se kish në ardhur në botë për t’u shërbyer të varfërve dhe njerëzve në fund të jetës në rrugët e qytetin indian.

“Me gjak jam shqiptare. Me nënshtetësi jam indiane. Me besim jam murgeshë katolike. Zanati im është që t’i përkas botës. Ndërsa zemra ime i takon e tëra Zemrës së Jezusit,” do të shprehej Nënë Tereza.

Ajo e vizitoi Shqipërinë për herë të parë në gusht të vitit 1989, ndërkohë që dhjetë vite më herët, në 1979-ën, fitoi Çmimin Nobel për Paqe.

Shën Tereza njihet për disa mrekulli.

E para është rasti i Monica Besra në Bengal të Indisë, e cila kishte një ënjtje tumorale indesh prej 16 cm në fund të barkut, e patrajtueshme nga doktorët.

Më 5 shtator, në përvjetorin e vdekjes së Nënë Terezës, Kryemurgesha mori medaljen e Marisë që kishte qenë direkt në kontakt me trupin e Nënë Terezës në kohën e funeralit, e vendosi mbi stomakun e Monikës dhe bëri një lutje të thjeshtë: ‘Nënë, sot është dita jote. Ti i do të varfrit. Bëj diçka për Monikën.’

Rreth 8 orë më vonë, tumori i Monikës u zhduk plotësisht.

Mrekullia e dytë është shërimi i Marcilio Andrinos në vitin 2008.

Truri i tij kishte pësuar një infeksion, duke krijuar absese të shumta. Gruaja e tij, Fernanda, do të vendoste një relike të Nënë Terezës në kokën e bashkëshortit, duke u lutur që ta shërojë. Më 9 dhjetor 2008 ai hyri në koma pas një dhembjeje të fortë, por ditën tjetër doktori që do e operonte pa që Marcilio ishte zgjuar dhe skaneri zbuloi ditë më vonë se edhe sëmundja e tij nuk ishte më.

5 Shtatori është festë zyrtare në Shqipëri.

Këshilli i Ministrave miratoi një ndryshim në ligjin “Për festat zyrtare” në vend, sipas të cilit data 19 shtator që është Dita e Lumturimit të Nënë Terezës, të zëvendësohej me datën 5 shtator, me Ditën e Shenjtërimit të saj.

Related Articles

Na Ndiqni

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

Latest Articles