Home Rajon Të shtëna me armë në një shkollë në Beograd, vriten 8 nxënës...

Të shtëna me armë në një shkollë në Beograd, vriten 8 nxënës dhe roja e shkollës

Tetë nxënës dhe një roje sigurie u vranë nga të shtënat me armë zjarri në Shkollën Fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Vraçar të Beogradit, bëri të ditur Policia e Serbisë. Sipas njoftimit, gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues u plagosën dhe aktualisht ndodhen në trajtim mjekësor. Në oborrin e shkollës u gjet dhe u arrestua nxënësi i kësaj shkolle, 14 vjeçari Kosta K., i cili dyshohet se ka kryer këtë vepër, tha po ashtu policia, por pa dhënë detaje për motivin e sulmit. Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha më herët se i dyshuari, nxënës i klasës së shtatë, ka qëlluar disa herë nga arma e të atit në drejtim të nxënësve dhe sigurimit të shkollës. Millan Nedelkoviq, kryetar i komunës së Vraçarit, ku ndodhet shkolla, u tha gazetarëve se nxënësi ka sjellë një armë në çantën e shpinës dhe se të shtënat kanë ndodhur në korridorin e shkollës. Ai tha se shkolla ka kamera sigurie, por se nuk ka detektorë metalikë.

“Të gjithë fëmijët e tjerë janë evakuuar nga shkolla. Ka kamera të sigurisë, por detektorë metalikë nuk ka në shkollë. Kjo është tragjedi e rëndë jo vetëm te në Vraçar, por nuk mbahet mend që një gjë e tillë të ketë ndodhur në Beograd por edhe në gjithë Serbinë”, tha Millan Nedelkoviq, kryetar i komunës së Vraçarit.

Prindërit e nxënësve të cilët mësojnë në shkollën “Vlladisllav Ribnikar”, të tmerruar me ngjarjen. Thonë se ishte vështirë të arrinin deri te informacionet për fatin e fëmijëve të tyre.

“Nuk kam mundur të marr informacione. Telefonova mësimdhënësen e fëmijës tim dhe ajo më njoftoi se vajza ime është e sigurt. Më pas vajza më dërgoi një porosi se është mirë dhe rrëfeu për tmerrin”.

Siç njoftoi Ministria serbe e Punëve të Brendshme ekipet policore janë në terren dhe po punohet në mënyrë intensive për zbardhjen e rrethanave që çuan në këtë tragjedi.

Exit mobile version