Home Rajon Abdixhiku reagon pas arrestimit të asamblistit të LVV-së

Abdixhiku reagon pas arrestimit të asamblistit të LVV-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas arrestimit të asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci në Tiranë, ku bashkë me pesë persona tjerë u kap me 11 mijë e 300 tableta ekstazi, me peshë prej mbi 5.090 kilogramë në vlerë rreth 400 mijë euro.

“Muaj më parë Lëvizja Vetëvendosje kishte provuar me pazaret më të pabesueshme të mundshme, të përmbyste vullnetin e qytetarëve të Prishtinës, duke kapur ndërmarrjet publike të kryeqytetit. Kjo tentativë e trishtë e tyre, kishte dështuar pa nisur mirë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Sipas tij synim asokohe ndër të tjerash  ishte dhe marrja e Stacionit të Autobusëve të kryeqytetit.

“Sot, teksa një asamblist i tyre është arrestuar me plot 11 mijë doza narkotikësh në vlerë prej gjysmë milioni euro; si pjesë e një rrjeti që me linjat e autobusëve Prishtinë – Tiranë bartnin narkotikë në vazhdimësi; nuk ka se si të mos rikujtojmë insistimin e opozitës së kryeqytetit, Lëvizjes Vetëvendosje, për ta vendosur të njëjtin asamblist – pikërisht këtë pra – si aksionar në këtë stacion”, ka shkruar tutje kreu i LDK-së.

Ai ka ftuar Prokurorinë e Shtetit të hetojë njerëzit e përfshirë në këtë skemë dhe siç ka thënë mbështetjen politike që kanë marrë në gjithë këtë proces.

Vetëvendosje dhe partitë tjera opozitar në Prishtinë në fillim të qershorit patën caktuar aksionarët e rinj të ndërmarrjeve publike, duke e caktuar Mujecin aksionar në ndërmarrjen “Stacioni i Autobusëve”. Më pas pushteti, LDK-ja dhe PDK-ja, patën anuluar vendimet e opozitës. Megjithatë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka shpallur të pavlefshme vendimet e pushtetit duke kthyer në fuqi vendimin e opozitës.

Exit mobile version