15 C
Struga
Thursday, March 28, 2024
spot_img

Propozimi francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes iu dërgua qeverisë bullgare – Osmani: Ne jemi gati

Kryeministri bullgar Kiril Petkov, të premten në Kuvend do ta paraqesë propozimin francez për zgjidhjen e çështjeve të hapura mes Shkupit dhe Sofjes, që do të çonte në heqjen e vetos për fillimin e negociatave për anëtarësim, shkruajnë mediat bullgare, shkruan Alsat.

Sipas agjencisë BGNES, presidenca franceze me BE-në, do t’ua dërgojë propozimin e Parisit vendeve anëtare të BE-së, ndërsa të enjten Petkov do t’ua përcjellë këtë dokument deputetëve. Sipas agjencisë, Petkov u tha bashkëpunëtorëve të tij se do të pasonte një ofensivë diplomatike ndaj politikanëve bullgarë nga diplomatë francezë, gjermanë dhe amerikanë.

Në tekst thuhet se heshtja e presidentit bullgar Rumen Radev, vlerësohet si shqetësuese. Nuk dihet saktësisht se çfarë përmban propozimi i Makronit, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

Presidenti Stevo Pendarovski tha se nuk e kanë parë propozimin francez – është çështje e brendshme e Bashkimit Evropian. Përgjigje të ngjashme dha edhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.

“Së pari, ne duhet të shohim një propozim, që të jetë i dakorduar nga të gjitha vendet anëtare. Sapo të marrim një sinjal nga presidenca franceze se ka një qëndrim të harmonizuar, nga të gjitha shtetet anëtare, atëherë do të shprehim qëndrimet tona”, tha Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Osmani nuk e komentoi vendimin e Qeverisë bullgare, sipas të cilit çdo zgjidhje e propozuar që është në kundërshtim me qëndrimin kornizë duhet të votohet në Komisionin parlamentar për politikë të jashtme, por për situatën e brendshme politike te fqinjët, Osmani shtoi:

“Ajo që shohim në Republikën e Bullgarisë nuk duket premtuese, por ne po ndjekim drejtimet e marra nga presidenca franceze në këtë periudhë. “Nëse presidenca franceze vlerëson se pavarësisht skenës së komplikuar politike në Republikën e Bullgarisë, duhet të ndërmerren hapat e ardhshëm për të arritur një zgjidhje në qershor, ne jemi këtu, jemi gati”, shtoi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Ambasadorja franceze në Sofje, Florence Robin, tha se propozimi francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes do t’i dërgohet qeverisë bullgare.

Related Articles

Na Ndiqni

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

Latest Articles