8 C
Struga
Friday, April 19, 2024
spot_img

Pas 17 vitesh, Maqedonia e Veriut do të nisë negociatat me BE-në duke nënshkruar sot në Sofje protokollin dypalësh

Pas votimit të konkluzioneve për propozimin francez në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe miratimit të propozimit nga Qeveria e Maqedonisë, Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh do të fillojë negociatat e para-anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Konferenca ndërqeveritare, sipas njoftimeve, do të mbahet të martën në Bruksel, ndërsa kryeministri Dimitar Kovaçevski njoftoi se fjalimin hapës do ta lexojë në gjuhën maqedonase.

Sot në Sofje do të nënshkruhet protokolli bilateral ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ndërsa para kësaj komisioni ndërqeveritar do të mbajë një takim ku do të jetë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Protokolli, sipas njoftimeve, do të bëhet publik pas nënshkrimit të tij.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, pas seancës së djeshme të Qeverisë në të cilën u miratua propozimi francez, vlerësoi se me këtë kompletohet një tjetër hap objektivisht historik për vendin tonë.

“Kam nderin të shpall datën e Konferencës së parë Ndërqeveritare, e cila duhet të mbahet javën e ardhshme, më 19 korrik, në Bruksel. Pastaj, Evropa do të jetë në Shkup, dhe Republika e Maqedonisë së Veriut në Bruksel, me kapacitet të plotë, me qasje në fonde, me qasje në njohuri, parime të vërteta dhe më e rëndësishmja vlera për të cilat ne përpiqemi dhe dëshirojmë. Dhe e gjithë kjo, bazuar në një identitet që do të shihet vazhdimisht në të gjitha qendrat evropiane. Ju ftoj në unitet, në besim, në qasje pozitive, në optimizëm”, deklaroi Kovaçevski në konferencën për shtyp.

Ai tha edhe një herë se gjuha maqedonase është e garantuar dhe se nuk do të ketë negociata për çështje të identitetit.

“Sot kemi një kornizë negociuese në të cilën ruhet gjuha dhe identiteti maqedonas, jashtë saj janë çështjet historike dhe tashmë jemi një hap larg mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare që do të shënojë fillimin e negociatave ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së”, theksoi Kovaçevski.

Kryetari i shtetit Stevo Pendarovski në një postim në “Fejsbuk” ka vlerësuar se vendimet e marra nga Kuvendi dhe Qeveria nënkuptojnë mbështetje për agjendën evropiane të vendit.

“Vendimet nuk ishin aspak të lehta për t’u miratuar, por do të mundësojnë zhbllokimin e integrimeve evropiane dhe zbatimin e procesit të domosdoshëm të skriningut. Tani është e nevojshme që BE-ja të reflektojë, pa vonesa”, ka shkruar Pendarovski.Para se Qeveria të miratonte propozimin francez, Kuvendi miratoi konkluzionet për propozimin francez pas tre ditësh diskutim.

Kuvendi me 68 vota “pro” miratoi projekt-konkluzionet e dorëzuara nga LSDM-ja dhe BDI-ja pas debatit për Informacionin për përmbajtjen e Propozim kornizës negociuese për negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian, të propozuar nga Presidenca franceze me Këshillin e BE-së. Deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe të Majtës nuk kanë marrë pjesë në aktin e votimit.

Konkluzionet kërkojnë respekt të pakushtëzuar për gjuhën, identitetin, veçoritë kulturore dhe historike të popullit maqedonas. Qeveria merr përsipër që në kornizën e negociatave ta përfshijë gjuhën maqedonase pa shtesa dhe fusnota dhe gjatë negociatave të mos pajtohet që të diskutohet për zgjidhje të ndryshme për gjuhën maqedonase nga ajo e përcaktuar në kornizën negociuese. Çështjet dypalëshe që lidhen me marrëveshjet dypalëshe për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë që nuk lidhen drejtpërdrejt me të drejtën e Bashkimit Evropian dhe me kriteret e Kopenhagës për anëtarësim nuk duhet të jenë kritere nga të cilat do të varet hapja dhe mbyllja e kapitujve dhe grupeve gjatë negociatave të anëtarësimit me Bashkimi Evropian. Korniza e negociatave duhet të miratohet menjëherë në fillim të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, përpara Konferencës së parë ndërqeveritare politike.

Për VMRO-DPMNE-në opozitare, e cila u largua nga salla e Kuvendit gjatë votimit të konkluzioneve, ngjarjet në Kuvend janë turp për shtetin.

Gjithsej 44 deputetë të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit, si garanci për popullin, vërtetuan në noter deklaratat se nuk do të pranojnë ndryshimin e Kushtetutës me ndërgjegje të pastër dhe ndërgjegje të shëndoshë, njoftoi lideri i partia politike VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski.

Miratimi i propozimit francez në Parlament dhe në Qeveri u mirëprit nga liderët e BE-së, SHBA-së, presidenti francez Emanuel Makron, kancelari gjerman Olaf Sholc.

“Ne presim me padurim hapjen e negociatave të anëtarësimit të martën kur të takohemi në Bruksel për Konferencën e parë ndërqeveritare”, ka shkruar eurokomisari për zgjerim Oliver Varhei në Tuiter.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, përgëzoi vendimin e Kuvendit dhe tha se janë mundësuar kushtet për hapje të shpejtë të negociatave për anëtarësim. “Kjo ishte një mundësi historike dhe ju e shfrytëzuat”, shënoi Fon der Lajen.

Vendimin e Kuvendit e përshëndeti edhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Entoni Blinken, i cili përmes një komunikate me shkrim tha se vendimi vjen në një moment kritik për Maqedoninë e Veriut, Ballkanin Perëndimor dhe Evropën.

“Bashkimi Evropian i cili përfshin të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë edhe Maqedoninë e Veriut, do të jetë më i fortë dhe më prosperues. Tani është koha për të ndërtuar një moment dhe të punohet në hapat e ardhshëm”, thotë Blinken.

Presidenti francez Emanuel Makron, vendi i të cilit ofroi propozimin për zhbllokimin e negociatave inkuadruese të Maqedonisë së Veriut, u zotua se Franca do të qëndrojë pranë Maqedonisë së Veriut gjatë konferencës së parë ndërqeveritare.

“Me votim sovran sot për propozimin që dha Franca para përfundimit të kryesimit të saj me Këshillin e Bashkimit Evropian, Kuvendi i Maqedonisë përsëri bëri një zgjedhje vendimtare për Evropën. Franca do të rreshtohet krah Maqedonisë së Veriut gjatë konferencës së parë ndërqeveritare e cila do të hapë një fazë historike në procesin e inkuadrimit të saj drejt Unionit”, shënoi Makron në Tuiter.

Edhe kancelari gjerman Olaf Sholc dërgoi mesazh “Ju duam si anëtare të Bashkimit Evropian dhe do të jemi pranë jush deri në fund”.

Miratimi i propozimit francez u mirëprit edhe nga Tirana zyrtare, e cila së bashku me Maqedoninë e Veriut do të nisin negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

“Më në fund! Negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian s’kanë më asnjë pengesë! Parlamenti i Maqedonisë së Veriut sapo ia ka ndezur dritën jeshile propozimit të fundit francez. Pengmarrja absurde e Shqipërisë ka marrë fund”, shënoi Rama në një postim në “Fejsbuk”.

Related Articles

Na Ndiqni

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

Latest Articles