16 C
Struga
Wednesday, April 24, 2024
spot_img

Osmani nga Budva: Le të hapemi ndaj mundësive që ofron pajtimi, dialogu dhe zgjidhja e kontesteve

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot do të merr pjesë në takimin e ministrave të punëve të jashtme të Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore (PBEJL) i cili do të mbahet në Budva. Takimi mbahet më pak se një muaj para marrjes formale të kryesimit nga Republika e Maqedonisë së Veriut, më 1 korrik.

Pas seancës plenare, së bashku me përfaqësuesit e Treshes Kryesuese – Greqisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut – Osmani do të mbajë konferencë për media, ndërsa në margjinat e takimit ministror do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me homologët e tij, nga vende anëtare të Iniciativës.

Procesi i Bashkëpunimit në Europën Juglindore është formuar në qershor të vitit 1996, me qëllim të thellimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit.  Iniciativa synon krijimin e një rajoni të bazuar në demokraci dhe prosperitet ekonomik, si dhe integrim të plotë të kësaj pjese të kontinentit në strukturat europiane dhe euroatlantike.

Maqedonia e Veriut është e përfshirë në Iniciativë që nga fillimi dhe ka kryesuar me atë në dy raste, 2000-2001 dhe 2012-2013.  Përveç Maqedonisë së Veriut, anëtare janë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kosova, Moldavia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Turqia, Kroacia dhe Mali i Zi.

Pas takimit ministror të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (PBEJL), që po mbahet në Budva, në kuadër të Treshes Kryesuese të iniciativës – Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani dhe Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq mbajtën konferencë të përbashkët për media.

Gjatë paraqitjes së tij, Osmani shtjelloi se nën sloganin e kryesimit të PBEJL-së nga Maqedonia e Veriut “Tejkalojmë ndarjet, ndërtojmë besim” qëndron bindja e fuqishme e vendit se kërcënimi më i madh për rajonin janë kontestet ende të hapura dypalëshe dhe bllokimet politike që pengojnë përparimin drejt integrimit europian, në bashkëpunimin dypalësh dhe rajonal, të cilat mund të përdoren lehtësisht nga aktorët e jashtëm.

“Besimi im i patundur është që ne duhet t’i shmangim këto përpjekje me çdo mjet dhe të hapemi ndaj mundësive që ofron pajtimi, dialogu, tejkalimi i trashëgimisë nga e kaluara dhe zgjidhja e kontesteve me mirëkuptim, respekt dhe zgjidhje reciprokisht të pranueshme. Maqedonia e Veriut po ndjek këtë rrugë dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit, Marrëveshja e Miqësisë, Marrëveshja e Prespës dhe kompromisi i arritur korrikun e kaluar për rrugën tonë europiane janë dëshmi e përkushtimit tonë për këtë kauzë të vërtetë europiane”, tha Ministri.

“Shpresojmë që së shpejti në rajon, duke ndjekur rrugën e kompromisit, të arrijmë zgjidhje të qëndrueshme për çështjet e mbetura të hapura që do të na çojnë drejt anëtarësimit në BE dhe rritjes ekonomike të ndërthurur. Kjo buron nga interesi ynë i përbashkët dhe këtë duhet ta bëjmë jo vetëm pa hezitim strategjik, por me vendosmëri strategjike”, shtoi Osmani.

Krahas këtyre temave, forcimi i demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore, sundimi i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit do të jenë në agjendën kryesore të kryesimit të Maqedonisë së Veriut, e cila fillon më 1 korrik dhe zgjat një vit.

Fokusi do të vendoset gjithashtu në forcimin e sigurisë energjetike dhe përshpejtimin e dekarbonizimit, ndërtimin e përbashkët të korridoreve të transportit transeuropian, realizimin e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm dhe transformimin digjital.

Related Articles

Na Ndiqni

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

Latest Articles