Koreja Veriore ka lëshuar disa raketa balistike në ujërat lindorë, duke kryer kështu testimet e para këtë muaj. Pheniani ka lëshuar numër rekord të raketave balistike këtë vit – më shumë se 60 – si dhe ka testuar disa raketa balistike interkontinentale. Ushtria e Koresë Jugore ka identifikuar vëzhgimin e dy raketave të Koresë së Veriut.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Koresë së Jugut, raketat janë lëshuar me 50 minuta dallim prej njëra-tjetrës, mirëpo nuk ka dhënë hollësi për llojin e saktë të raketës dhe sa gjatë kanë fluturuar. Ushtria ka thënë se ka zgjeruar spektrin e vëzhgimit dhe është në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara.
Zyrtarët japonezë kanë thënë se dy raketa kanë rënë në ujërat mes Gadishullit Korean dhe Japonisë. Ata e kanë kritikuar Korenë e Veriut për kërcënim të sigurisë së Japonisë, rajonit dhe komunitetit ndërkombëtar.