Home Maqedoni Grubi: Elementet pro-ruse po i organizojnë protestat në RMV

Grubi: Elementet pro-ruse po i organizojnë protestat në RMV

Një propozim francez për të tejkaluar ngërçet politike me Bullgarinë, e ka ndezur fitilin e protestave në Maqedoninë e Veriut. Që pesë ditë, mijëra qytetarë janë mbledhur para objektit të Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme për të shprehur kundërshtimin ndaj këtij propozimi. Shqiptari më i fuqishëm në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut i sheh protestat si tendencë për të bllokuar integrimin e këtij vendi në familjen evropiane.

Artan Grubi, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, në një intervistë për gazetën Nacionale, thekson se protestuesit janë nën ndikim të elementeve pro-ruse në Maqedoninë e Veriut, të cilat, sipas tij, dëshirojnë stagnimin e shtetit maqedonas.

Tutje, në këtë intervistë, Grubi flet edhe për akuzat e Aleancës për Shqiptarët e VMRO-së, të cilat e cilësuan Bashkimin Demokratik pë Integrim (BDI) si fajtore kryesore për tensionet e fundit ndëretnike.

Natyrisht, Grubi nuk ka hezituar të tregojë mendimin e tij rreth propozimit të Bashkimit Evropian. Për të, një propozim i tillë i hap rrugë integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

“Propozimi i BE-së hap rrugën e nisjes së negociatave të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Me pranimin e këtij propozimi Maqedonia e Veriut fillon negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që është synim i yni i kamotshëm”, thekson Grubi.

Lexojeni të plotë intervistën e Nacionales me zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut:

Nacionale: Si i shihni protestat? Çfarë po ndodh në Maqedoni të Veriut?

Grubi: Protestat e organizuara në Shkup pas propozimit të Këshillit të BE-së për kornizën negocuese për Maqedoninë e Veriut kanë për qëllim që të bllokojnë integrimin e vendit në familjen evropiane.

Këto protesta organizohen nga partitë maqedonase në opozitë, VMRO_DPMNE dhe Levica të cilat ishin kundër edhe procesit integrues në NATO, Marrëveshjes së Prespës, ligjit për gjuhën shqipe.

Protestuesit janë nën ndikimin e konfirmuar të elementeve pro-ruse në Maqedoni si dhe forcave regresive të cilët dëshirojnë stagnimin e vendit tonë.

Këto forca regresive nuk do të arrijnë sukses sepse orientimi ynë është drejt Bashkimit Evropian dhe ne alternativë tjetër nuk kemi.

Gjithashtu dëshirojë të potencoi se propozimi i BE është i pranueshëm për ne dhe menjëherë pas dorëzimit të njëjtit kemi filluar një debat të gjërë me presidentin e vendit, parlamentin, partitë politike, mediat, sektorin joqeveritare dhe kështu me radhë. Presim që ky Propozim të marrë mbështetjen e Kuvendit dhe Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian.

Nacionale: Gjatë dy ditëve të fundit kishte tensione mes dy etnive me të mëdha në vend. A ka rrezik të përshkallëzimit të mëtutjeshëm?

Grubi: Qëllimi i organizatorëve të protestës, VMRO_DPMNE-së dhe Levicës është inskenimi i incidenteve ndëretnike, si ishte rasti ditën e djeshme në hyrje të Çarshisë së Vjetër të Shkupit.

Aktivist të këtyre subjekteve nxitën incident ndëretnike me partnerët e tyre të koalicionit Sela dhe Taravari të Aleancës për shqiptarët.

E gjithë kjo situatë është pasojë e koalicionit të ashtuquajtur LEVICA të 5 nëntorit të vitit të kaluar, pjesë së cilës ishin pikërisht këto subjekte politike të cilët inskenuan incidente ndëretnike dhe u vunë në shërbim të plotë të protestave antieuropiane të nxitura nga qarqe pro ruse.

Por, ajo që dëshiroj të theksoj është se shqiptarët nuk janë pjesë e këtyre skenarëve dhe nuk do të bien bëhen pre e këtyre incidenteve të inskenuara për tu bërë fajtor për dështimin e ecurisë së Maqedonisë së Veriut drejt BE.

Apeloj deri të gjithë qytetarët shqiptarë që të përmbahen dhe të mos bëhen pjesë e këtyre skenarëve që kanë për qëllim ti shërbejnë agjendave ruse në Maqedoninë e Veriut dhe ta largojnë nga BE vendin tonë.

Njëkohësisht, iu bëjmë thirrje të gjitha institucioneve kompetente që të ndërmarrin masa për ti zbuluar dhe të nisin procedurë për të gjithë ata që organizojnë dhe marrin pjesë në incidente të dhunshme dhe nxisin tensione ndër etnike.

Nacionale: Aleanca për Shqiptarët dhe VMRO kanë akuzuar BDI-në për tensionet e fundit ndëretnike në protesta, duke përdorë si argument deklaratën e Ministrit të Jashtëm dhe Zëdhënësit të BDI-së, Bujar Osmani, se nëse nuk pranohet “Propozimi Francez” do të këtë rrezik të tensioneve ndëretnike? Cili është përgjigjja juaj ndaj këtyre akuzave?

Grubi: Gjatë ditës së djeshme u pa qartë se kush inskenon incidentet ndëretnike. Dora e zgjatur e Moskës në Shkup e mbështetur nga partnerët e Aleancës për shqiptarët, inskenuan incidente ndëretnike me qëllim që këto protesta të marrin konotacion tjetër. Kjo ishte tentativë që të zbatohet plani i Malit të zi për destabilizim të Shkupit.

Por, ne nuk do të lejojmë që të ndodhë një gjë e tillë dhe shqiptarët këtu në Maqedoninë e Veriut nuk do të bien pre të këtyre provokimeve dhe skenarëve pro ruse.

Nacionale: Edhe, çfarë mendoni për propozimin e ri të BE-së?

Grubi: Propozimi i BE-së hap rrugën e nisjes së negociatave të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Me pranimin e këtij propozimi Maqedonia e Veriut fillon negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që është synim i yni i kamotshëm. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të zhbllokohet ky proces përmes shqyrtimit konstruktiv dhe të gjërë të propozimit francez të cilit i qëndrojnë në mbështetje 27 vendet e BE-së. Njëkohësisht dëshirojë të theksojë se ky propozim nuk cenon identitetin, kulturën dhe gjuhën e bashkëkombësve tanë maqedonas.

Propozimi është në përputhje të plotë me Rezolutën e Kuvendit të RMV për pozicionet e shtetit tonë në kontestin me Bullgarinë.

Sot, Qeveria vendosi që ta dorëzon propozimin në Kuvend për të miratuar konkluza përkatëse për të vijuar procesin.

Exit mobile version