Home Botë Franca ashpërson masat për luftim të pandemisë

Franca ashpërson masat për luftim të pandemisë

Franca ka bërë të ditura kufizime më të ashpra për luftim të pandemisë, teksa shtrihet varianti Omicron i koronavirusit.

Nga 3 janari, puna nga shtëpia do të jetë e detyrueshme për ata që munden dhe organizimet publike do të kufizohen në 2,000 persona në ambientet e mbyllura.

Ky lajm vjen pasi Franca ka regjistruar më shumë se 100,000 raste të reja të infektimit të shtunën – njëherësh shifrën më të lartë të raportuar brenda një dite, prej shpërthimit të pandemisë.

Megjithatë, kryeministri francez, Jean Castex nuk ka marrë masa izolimi për natën e Vitit të Ri.

Shtetet në gjithë Evropën janë duke zbatuar masa të reja, si pasojë e rritjes së numrit të infektimeve, të nxitura nga varianti Omicron.

Disa studime kanë sugjeruar se ky variant është më i butë sesa Delta, dhe personat e infektuar kanë më pak mundësi që të përfundojnë në spital.

Castex u ka thënë gazetarëve se pandemia duket si “film pa fund”.

Ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Veran ka thënë se shkalla e infektimit është duke u dyfishuar çdo dy ditë, andaj ka paralajmëruar për “mega valë” të rasteve të reja.

Në masat e reja përfshihet edhe kufizimi për organizimet e jashtme me vetëm 5,000 persona, si dhe ndalesa për të ngrënë ushqim nëpër mjete të transportit gjatë udhëtimeve të gjata.

Klubet e natës do të mbeten të mbyllura dhe kafiteritë do të punojnë me kapacitete të kufizuara.

Plani i këtij shteti për pasaportë të vaksinës, përmes së cilit do të kërkohet vetëm dëshmia e vaksinimit dhe jo testi negativ për të hyrë të ambiente publike – do të hyjë në fuqi më 15 janar, nëse Parlamenti francez e miraton një draft të projektligjit.
Sipas të dhënave shtetërore, Franca aktualisht ka një mesatare të raportimit të mbi 70,000 rasteve ditore me koronavirus.

Exit mobile version