13.5 C
Struga
Thursday, September 29, 2022
spot_img

ESHR: Për lehtësimin e pasojave nga kriza energjetike dhe shëndetësore janë paguar 183 milion euro

Nëpërmjet programit P1, Qeveria e RMV-së ka paguar mjete në vlerë prej mbi 11 miliardë denarë për përballimin e pasojave të pandemisë së COVID-19, si dhe për tejkalimin e situatës së krizës me furnizim me energji elektrike.

Enti Shtetëror i Revizionit kreu revizionin e pajtueshmërisë të Buxhetit Themelor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me të cilën u përfshi përgatitja, miratimi, menaxhimi dhe realizimi i Buxhetit të RMV-së për vitin 2021.

Buxheti për vitin 2021 arriti përafërsisht 196 miliardë denarë, që në krahasim me vitin 2020 paraqet rënie për 3.78%. Me rebalancin e miratuar në korrik, është rritur për 9% në pjesën e të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit shtetëror.

Në vitin 2021 ka vazhduar zbatimi i aktiviteteve të masave nga seti i pestë dhe i gjashtë për lehtësimin e pasojave nga pandemia e virusit KOVID-19, të realizuara nëpërmjet programit P1- Masa për përballimin e krizës Kovid-19, me të cilën janë paguar mjete në vlerë prej mbi 11 miliardë denarë.

Subjektet juridike dhe personat fizik të prekur nga pandemia janë mbështetur me mjete nga Buxheti i RMV-së, me qëllim sigurimin e qëndrueshmërisë së ekonomisë vendase. Pjesa më e madhe e mjeteve nga programi P1 gjegjësisht 47%, janë shfrytëzuar për tejkalimin e gjendjes së krizës në furnizimin me energji elektrike në RMV.

Deficiti buxhetor në vitin 2021 arriti në 5,4% të BPV-së dhe i njëjti është mbi përqindjen e projektuar prej 3,2% të parashikuar në Strategjinë Fiskale për 2021-2023, gjegjësisht 0,5% mbi përqindjen e projektuar prej 4,9% të parashikuar në Strategjinë Fiskale të reviduar për 2021-2025.

Rritja e projektuar e deficitit buxhetor është rezultat i paparashikuar dhe rreziqeve që lidhen me kohëzgjatjen e pandemisë shëndetësore në kuadër global, implikimeve në ekonominë në tërësi në kushtet e paparashikueshme, si dhe realizimi i pakove të masave ekonomike.

Indikatorët makroekonomik sugjerojnë se pavarësisht uljes së deficitit buxhetor për 2.8% në vitin 2021 në krahasim me vitin 2020, ndikimi i krizës shëndetësore-ekonomike e mban ende deficitin në nivel më të lartë në krahasim me vitet e mëparshme, të paraqitur në grafikun e mëposhtëm:

Foto 11 – ALB
Burimi: Ministria e Financave

Në vitin 2021, deficiti buxhetor, si dhe shlyerjet e borxhit, u financuan me mjete të siguruara nëpërmjet huamarrjes nga burime të huaja dhe vendase.

Të gjitha hyrjet nga huamarrjet e jashtme arrijnë rreth 57,6 miliardë denarë dhe janë paksa më të ulëta në krahasim me vitin 2020. Prej tyre 42,5 miliardë denarë ose 74% janë hyrje nga letrat me vlerë të emetuara shtetërore në tregun ndërkombëtar të kapitalit – eurobond në RMV. 

Në tregun e brendshëm të letrave me vlerë, në vitin 2021 në bazë të huamarrjeve në vend janë evidentuar të hyra në vlerë të përgjithshme prej 23 miliardë denarë, që është për 46% më pak në krahasim me vitin 2020, për shkak që në vitin 2021 nuk është kryer huamarrje të shtetit me kredi afatshkurtër te bankat vendase, ndërsa janë realizuar edhe më pak të hyra nga obligacionet e emetuara të shtetit.

Mjetet për financimin e Gjyqësorit janë miratuar në vlerë prej rreth 2 miliardë denarë që paraqet 0.3% prej BPV dhe është 60% më pak se limiti i përcaktuar me ligj, ndërsa mjetet e miratuara për Prokurorinë Publike në vlerë prej rreth 574 milionë denarë përfaqësojnë 0,18% të mjeteve të Buxhetit të RMV-së për vitin 2021 , që është nën 50% të limit të përcaktuar me ligj.

Të hyra e përgjithshme në Buxhetin Themelor të RMV-së për vitin 2021 janë realizuar në vlerë prej rreth 227 miliardë denarë, gjegjësisht për 5% më shumë në krahasim me vitin 2020. Pjesëmarrje më të madhe prej 54% në totalin e të ardhurave kanë të ardhurat tatimore, të cilat janë të realizuara për mbi 17% më shumë në krahasim me vitin 2020.

Me analizën e të hyrave tatimore për periudhën 2017-2021, revizorët konstatuan rritje permanente nga viti në vit, ndërsa nga aspekti i pjesëmarrjes së tyre në totalin e të hyrave të Buxhetit Themelor, është konstatuar rënie permanente, nga 71% në vitin 2017 në 54% në vitin 2021.

Revizorët në drejtim të rritjes së nivelit të arkëtimit të detyrimeve publike, sugjeruan nevojën për rritjen e numrit të kontrolleve, si dhe numrit të inspektorëve tatimorë dhe kontrollorëve tatimorë, duke pasur parasysh se efekti i zbatimit të kontrolleve rezulton me rritje e të ardhurave në Buxhetin e RMV-së.

Në lidhje me kërkesat dhe detyrimet për tatimet, kontributet dhe detyrimet tjera publike, në raportin e revizionit është potencuar se ato nuk janë të deklaruara në raportet financiare, gjë që e zvogëlon transparencën gjatë projeksioneve të Buxhetit të RMV-së.

Shpenzimet totale të Buxhetit Themelor të RMV-së për vitin 2021 janë realizuar në vlerë prej rreth 211 miliardë denarë, gjegjësisht për 5% më shumë në krahasim me vitin 2020. Në strukturën e shpenzimeve të realizuara të Buxhetit Themelor të RMV-së për vitin 2021, pjesëmarrje më të madhe zënë shpenzimet për shlyerjen e kryegjësë me 20%, transferet aktuale deri te fondet jashtëbuxhetore me 19%, shpenzimet për paga, mëditje dhe kompensimet me 14% dhe shpenzimet për subvencione dhe transferaët me 13%.

Në kuadër të kategorive të veçanta të shpenzimeve, është vërejtur rritje pothuajse në të gjitha shpenzimet, me çka rritje më të ndjeshme në përqindje është vërejtur te shpenzimet kapitale për 50,55%, prej të cilave pjesa më e madhe i referohen pagesës së garancive për borxhin e jashtëm, te shpenzimet të padefinuara dhe rezervave për 38.68% nga të cilat në vitin 2021 janë paguar edhe mjete për sigurimin e sasive shtesë të energjisë elektrike për ballafaqimin me gjendjen e krizës në furnizimin me energji elektrike, si dhe te shpenzimet për stoqet dhe shërbime për 31,65% më shumë në krahasim me vitin 2020. Rënie prej vetëm 7.46% është vërejtur te shpenzimet për subvencione dhe transferët.

Gjatë vitit 2021 nga mjetet që nuk janë shfrytëzuar për shpenzime kapitale nga shfrytëzuesit buxhetorë janë rishpërndarë mjete në vlerë prej mbi 1 miliard denarë, të cilat më së shumti janë dedikuar për programin P1 – Masat për ballafaqimin me krizën KOVID-19 dhe për tejkalimin e gjendjes së krizës me energjinë elektrike në RMV.

Në pjesën e transferëve aktual deri te fondet jashtëbuxhetore, revizioni konstatoi se pjesa e mjeteve nga Buxheti Themelor i RMV-së për mbulimin e deficitit aktual të Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor për pagesën e pensioneve në vitin 2021 është 29% dhe në krahasim me vitin 2020 është rritur për 3%. Struktura e burimeve të fondeve për pensione ende tregon nevojën për mbështetje financiare të Fondit për pagesën e pensioneve në shtet me mjete nga Buxheti i RMV-së.

Gjithashtu, revizorët konstatuan se borxhi publik më 31.12.2021 ishte 7.135,3 milionë euro ndërsa në 31.12.2020 është në vlerë prej 6.483,3 milion euro, që tregon rritjen në vlerën absolute prej 652 milionë euro, gjegjësisht për 10%. Pavarësisht rritjes së borxhit publik si vlerë absolute, gjendja e borxhit publik në raport me BPV-në më 31.12.2021 është 60.8% dhe është për0.16% më e ulët në krahasim me vitin 2020, për shkak të rënies me 5% të BPV-së në krahasim me vitin e kaluar.

Borxhi shtetëror më 31.12.2021 është 51,8% nga BPV-së dhe nuk ka dallime të theksuara në krahasim me vitin 2020 kur ishte 51,9% nga BPV-së.

Borxhi publik në periudhën 2011-2021 ka një trend të vazhdueshme të rritjes si përqindje nga BPV-së, që është rritur ndjeshëm në dy vitet e fundit si ndikim i funksionimit të ekonomisë në kushtet e pandemisë, është paraqitur në grafikun e mëposhtëm:

Foto 44 – ALB
Burimi: Ministria e Financave

Nga analiza e kryer e raporteve për detyrimet e raportuara përfundimisht me muajin dhjetor të 2021, revizioni ka konstatuar se nga gjithsej 1,382 subjekte, në të dhënat e SERED kanë dorëzuar 1.063 subjekte. Detyrimet e papaguara janë në vlerë prej rreth 24 miliardë denarë, që është për 36% më shumë në krahasim me vitin 2020. Pjesëmarrje më të madhe në totalin e detyrimeve e zënë institucionet shëndetësore publike me 46%, si dhe komunat me 18%.

Në raportin e revizionit theksohet se nuk ka ndryshime të rëndësishme në lidhje me jostabilitetit financiar të komunave në vitin 2021, me çka është konstatuar se në dhjetor 2021, nga gjithsej 81 komuna, 12 komuna në RMV punojnë dhe funksionojnë me llogari të bllokuar.

Revizorët kanë konstatuar se për 39% nga gjithsej detyrimet e raportuara të komunave, gjegjësisht për 1,7 miliard denarë, janë dorëzuar urdhra për t’u realizuar në Ministrinë e Financave, prej të cilave 75% janë të bazuara në kryegjënë, ndërsa 25 % ose 425 milionë denarë janë në bazë të kamatës dhe shpenzimeve tjera, që tregon për përqindje të lartë të borxhit të komunave në kushtet kur realizimi i të hyrave shënon trend në rënie.

Për revizionin e kryer, Enti Shtetëror i Revizionit ka dhënë konkluzion se me përjashtim të disa situatave të theksuara në Raportin Përfundimtar të Revizionit, procedura e përgatitjes dhe miratimit të Buxhetit të RMV-së zbatohen në përputhje me rregullativën ligjore, respektivisht planifikimi dhe realizimi i shpenzimeve dhe daljet e tjera dhe planifikimi dhe realizimi i të ardhurave dhe hyrjeve të tjera janë në përputhje me shumat dhe dedikimet e përcaktuara në buxhetet e miratuara të shfrytëzuesve buxhetor të veçant. Në të njëjtën kohë, procedurat e vendosura të kontrollit të sistemeve të TI-së dhe evidentimet në llogarinë e Thesarit, mundësojnë parandalimin ose zbulimin e gabimeve.

Related Articles

Na Ndiqni

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

Latest Articles