12.7 C
Struga
Thursday, September 29, 2022
spot_img

Bombardime mes Azerbajxhanit e Armenisë, raportohet për 49 ushtarë të vrarë

Armenia tha se disa qytete pranë kufirit me Azerbajxhanin, duke përfshirë Jermuk, Goris dhe Kapan, po bombardoheshin në orët e para të së martës dhe se vendi i ishte përgjigjur asaj që e quajti një “provokim në shkallë të gjerë” nga Azerbajxhani. Armenia njoftoi se të paktën 49 ushtarë të saj u vranë. Baku tha se ishte sulmuar nga Armenia. Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, akuzoi Azerbajxhanin për sulme ndaj qyteteve armene sepse nuk donte të negocionte për statusin e Nagorno-Karabakut, një enklavë e cila është brenda Azerbajxhanit, por e populluar kryesisht nga armenë etnikë.

“Intensiteti i armiqësive është ulur, por sulmet në një ose dy fronte nga Azerbajxhani vazhdojnë”, tha Nikol Pashinyan, Kryeministër i Armenisë.

Shpërthimi i konfliktit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit ka shkaktuar shqetësim global. Rusia dhe SHBA-të i bënë thirrje Bakut dhe Jerevanit të respektojnë përmbajtje.

“Siç e kemi bërë të qartë prej kohësh, nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake për konfliktin. Ne kërkojmë që menjëherë t’i jepet fund çdo armiqësie ushtarake”, theksoi Antoni Blinken, Sekretar Amerikan i Shtetit.

Ministria e Jashtme ruse tha në një deklaratë se konflikti midis Armenisë dhe Azerbajxhanit “duhet të zgjidhet ekskluzivisht përmes mjeteve politike dhe diplomatike”. Moska është alet i Jerevanit përmes Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive të udhëhequr nga Moska. Turqia nga ana tjetër mbështet Azerbajxhanin. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu bisedoi me homologun e tij azerbajxhanas Jeyhun Bayramov dhe i bëri thirrje Armenisë që të “ndalojë provokimet e saj”.

Franca pritet të diskutojë çështjen midis Armenisë dhe Azerbajxhanit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, njoftoi zyra e presidentit Emmanuel Macron, duke shtuar se presidenti francez vazhdoi t’u bëjë thirrje të dyja palëve që të respektojnë armëpushimin.

Në 2020-tën, Armenia dhe Azerbajxhani ranë dakord me ndërmjetësimin e Moskës për armëpushim pas dy javë luftimesh mes palëve në konflikt për rajonin e Nagorni-Karabakut në Kaukazin Jugor.

Related Articles

Na Ndiqni

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

Latest Articles