Home Botë 500 vjet më i vjetër se Oksfordi, ky është universiteti që ndryshoi...

500 vjet më i vjetër se Oksfordi, ky është universiteti që ndryshoi botën

Më shumë se 500 vjet përpara se të themelohej Universiteti i Oksfordit, në Universitetin Nalanda të Indisë studionin rreth 10.000 studentë. Në botën e lashtë, konsiderohej një prej qendrave më të mëdha të të mësuarit, por sot gjithçka që ka mbetur janë rrënojat me tulla të kuqe.

Më shumë se 500 vjet përpara se të themelohej Universiteti i Oksfordit, në Universitetin Nalanda të Indisë studionin rreth 10.000 studentë. Në botën e lashtë, konsiderohej një prej qendrave më të mëdha të të mësuarit, por sot gjithçka që ka mbetur janë rrënojat me tulla të kuq

E themeluar në vitin 427 të erës sonë, Nalanda konsiderohet një nga universitetet e para në botë, shtëpia e nëntë milionë librave dhe mijëra studentëve nga e gjithë Azia Lindore dhe Qendrore. Ata ndiqnin degët e mjekësisë, logjikës, matematikës dhe mbi të gjitha parimet budiste nga disa prej studiuesve më të nderuar të epokës.

Burimi i të gjitha njohurive

“Burimi i gjithë njohurive budiste që kemi, ka ardhur nga Nalanda”, është shprehur dikur Dalai Lama për këtë universitet.

Kurikulat akademike të këtij universiteti u bënë ndikuese dhe përcaktuese për shumëçka, jo vetëm në Indi, por edhe më gjerë. Sistemi i lashtë mjekësor indian, i cili bazohet në metodat e shërimit nëpërmjet natyrës, mësohej gjerësisht në Nalanda dhe më pas u shpërnda në pjesë të tjera të Indisë. Institucione të tjera budiste u frymëzuan nga dizajni i oborreve të hapura të kampusit, nga sallat e lutjeve dhe dhomat e leksioneve. Gjithashtu, një ilaç i prodhuar në këtë universitet u përhap në pak kohë në Tajlandë, ndërsa arti i përpunimit të metalit nisi të zbatohej në Tibet dhe gadishullin Malajan.

Megjithatë, trashëgimitë më të rëndësishme të Nalandës janë arritjet e saj në matematikë dhe astronomi. Aryabhata, i konsideruar si babai i matematikës indiane, mendohet se ka drejtuar universitetin në shekullin e 6-të të erës sonë.

Ne besojmë se Aryabhata ishte i pari që caktoi zeron si një shifër, një koncept revolucionar, i cili thjeshtoi llogaritjet matematikore dhe ndihmoi në evoluimin e rrugëve më komplekse si algjebra dhe llogaritja. Pa zero, ne nuk do të kishim kompjuterë. Ai ishte gjithashtu i pari që ia atribuoi shkëlqimin e hënës dritës së reflektuar të diellit,”-tha Anuradha Mitra, profesoreshë e matematikës.

Universiteti dërgonte rregullisht disa nga studiuesit dhe profesorët e tij më të mirë në vende si Kina, Korea, Japonia, Indonezia dhe Sri Lanka për të përhapur mësimet dhe filozofinë budiste. Ky program i lashtë i shkëmbimit kulturor ndihmoi në përhapjen dhe formësimin e budizmit në të gjithë Azinë.

Fundi i një tradite

Mbetjet arkeologjike të Nalandës janë tashmë një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Në vitet 1190, universiteti u shkatërrua nga një trupë plaçkitëse pushtuesish të udhëhequr nga gjenerali turko-afgan Bakhtiyar Khilji. Kampusi ishte aq i madh sa zjarri i ndezur nga sulmuesit thuhet se u dogj për tre muaj me radhë. Megjithatë, ky nuk ishte sulmi i parë ndaj Nalandës, pasi ajo u sulmua nga hunët në shekullin e 5-të, dhe përsëri pësoi dëme të rënda nga një pushtim i mbretit të Bengalit, Gauda, në shekullin e 8-të.

Gjatë 6 shekujve të ardhshëm, Nalanda gradualisht do të zhytej në harresë dhe do të kthehej në rrënoja, përpara se të zbulohej nga topografi skocez Francis Buchanan-Hamilton në vitin 1812, dhe më vonë u identifikua si Universiteti i lashtë Nalanda nga Sir Alexander Cunningham në vitin 1861. Sot, zona e gërmuar prej 23 hektarësh ka të ngjarë të jetë vetëm një pjesë e kampusit origjinal, por gjithsesi kalimi nëpër rrënojat e manastireve dhe tempujve risjell ndjesinë se si duhet të ketë qenë të mësosh në këtë vend fantastik. Për këtë arsye, grupe murgjish, veshur me rroba të kuqe e vizitojnë këtë vend, herë pas here, kryejnë homazhe dhe meditojnë.

Exit mobile version