Pfizer-BioNTech pranon të furnizojë Covax me vaksina anticovid, përfituese edhe Shqipëria

0

Pfizer dhe BioNTech kanë rënë dakord për të furnizuar me vaksinën e tyre COVID-19 skemën e COVAX të bashkë-udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Lajmi është bërë i ditur nga agjencia e lajmeve, Reuters ku thekson se marrëveshja pritet të shpallet ditën e sotme.

Detajet mbi madhësinë e marrëveshjes ose çmimin për dozë që COVAX do të paguante nuk ishin të qarta menjëherë, por burimet për Reuters thanë që ndarja do të ishte relativisht e vogël.

Një burim tha se arsyeja për vëllimin e kufizuar ishte se dozat ishin të destinuara kryesisht për punonjësit e kujdesit shëndetësor në vendet që COVAX shërben.

Shqipëria ka paguar 3.99 milionë dollarë si formë parapagimi për vaksinën anti-Covid19, tek aleanca COVAX për të vaksinuar 570 mijë persona ose rreth 20% të popullsisë.

Aleanca COVAX u krijua në prill nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe në të marrin pjesë 180 shtete, përfshi të gjitha anëtaret e BE-së. COVAX ka si qëllim të bashkojë kapacitetet financuese dhe prodhuese për të siguruar një sasi sa më të madhe vaksinash për t’i shpërndarë ato mes vendeve anëtare të aleancës.

Covax ka bërë marrëveshje me 9 prodhues vaksinash, përfshi Moderna dhe AstraZeneca, që tashmë kanë prodhuar një vaksinë. Paraprakisht, COVAX ka përllogaritur se kostoja e një doze vaksine do të jetë 10.55 dollarë.