Mjeku që zbuloi virusin Ebola ngre alarmin: Do të vijnë viruse edhe më vdekjeprurës

0

Njerëzimi përballet me një numër të panjohur të viruseve të reja dhe potencialisht fatale që dalin nga pyjet tropikale të Afrikës, sipas profesorit Jean-Jacques Muyembe Tamfum, i cili ndihmoi në zbulimin e virusit Ebola në vitin 1976 dhe që prej asaj kohe, ka qenë në vijën e parë të kërkimit të patogjenëve të rinj.

“Tani jemi në një botë ku do të dalin patogjenë të rinj”, i tha ai CNN. “Dhe kjo është ajo që përbën një kërcënim për njerëzimin.” raporton CNN.

Si një studiues i ri, Muyembe mori mostrat e para të gjakut nga viktimat e një sëmundjeje misterioze që shkaktoi hemorragji dhe vrau rreth 88% të pacientëve dhe 80% të stafit të cilët ishin duke punuar në Spitalin Yambuku, kur sëmundja u zbulua për herë të parë.

Provëzat e gjakut u dërguan në Belgjikë dhe SHBA, ku shkencëtarët gjetën një virus në formë krimbi. Ata e quajtën atë “Ebola”, pas lumit ku sëmundja u zbulua për herë të parë.

Identifikimi i saj u mbështet në një zinxhir që lidhte pjesët më të largëta të pyjeve të Afrikës me laboratorët e teknologjisë së lartë në Perëndim.

Tani, Perëndimi duhet të mbështetet te shkencëtarët afrikanë në Kongo dhe gjetkë, për të vepruar si roje paralajmëruese kundër sëmundjeve të ardhshme.

Duke folur ekskluzivisht për CNN, Muyembe paralajmëroi për shumë sëmundje zoonotike, ato që kalojnë nga kafshët tek njerëzit.

Ethet e verdha, format e ndryshme të gripit, bruceloza etj, janë ndër ato që kalojnë nga kafshët te njerëzit, shpesh përmes brejtësi ose një insekti. Ato kanë shkaktuar epidemi dhe pandemi më parë.

A mendon Muyembe se pandemi të ardhshme do jenë më keq se kjo e 2020-ës?

“Po, kështu mendoj”, përgjigjet ai.

Që nga infeksioni i parë që kalonte nga kafsha te njeriu, njohur si “ethet e verdha”, që u identifikua në vitin 1901, shkencëtarët kanë gjetur të paktën 200 viruse të tjera që dihet se shkaktojnë sëmundje tek njerëzit.

Sipas një hulumtimi nga Mark Woolhouse, profesor i epidemiologjisë së sëmundjeve infektive në Universitetin e Edinburgut, specie të reja të viruseve po zbulohen me shpejtësi. Shumica e tyre e kanë origjinën nga kafshët.

Ekspertët thonë se numri në rritje i viruseve në zhvillim është kryesisht rezultat i shkatërrimit ekologjik dhe tregtisë së kafshëve të egra.

Ndërsa habitatet e tyre natyrore zhduken, kafshë si minjtë, lakuriqët e natës dhe insektet mbijetojnë atje ku kafshët më të mëdha zhduken. Ata janë në gjendje të jetojnë së bashku me qeniet njerëzore dhe shpesh dyshohet se janë faktorët që mund të sjellin sëmundje të reja tek njerëzit.