Covid-19 në Gjermani/ Një kompani mishi planifikon teste ditore për 5.000 punëtorët e saj

0

Një kompani gjermane e mishit tha se planifikon të kryejë teste të përditshme mbi koronavirusin (COVID-19) për të gjithë 5.000 punëtorët e përfshirë në procesin e prodhimit, për shkak të shqetësimeve për një seri shpërthimesh nëpër thertoret e vendit.

“Westfleisch”, një nga kompanitë më të mëdha të përpunimit të mishit në Gjermani tha sot se tashmë po kryen teste javore për punëtorët, por se nga java tjetër dëshiron t’i kryejë ato çdo ditë.

Kompania pësoi nga shpërthimi i COVID-19 që përfshinte qindra punëtorë në fabrikën e saj në qytetin perëndimor Coesfeld në maj.

Ndërmarrja rivale “Toennies Group” është në qendër të një shpërthimi në rajonin e afërt të Guetersloh që ka çuar në një izolim të pjesshëm, pasi autoritetet përpiqen të parandalojnë përhapjen e COVID-19.