Tenderët, “kurora” e dallavereve

0

Tenderët, lëshimi i lejeve apo licencave të ndryshme, punësimet, ndihma shtetërore për qytetarët dhe biznesin, renditen ndër fushat kryesore ku ekziston rreziku nga korrupsioni në vend. Njëherësh ë analizat e Komisionit Antikorrupsion tregojnë se furnizimet publike dhe mbikëqyrja e inspeksioneve kanë ndikim të madh në shoqëri, andaj edhe bëhet fjalë për sektorë me rreziqe shumë të larta për korrupsion, shkruan gazeta KOHA. Punësimet në sektorin publik si në nivel lokal ashtu edhe qendror gjithashtu kanë rrezik shumë të lartë për korrupsion. Lëshimi i lejeve, licencave dhe të ngjashme që po realizohet nga sektorë të ndryshëm, gjithashtu ka rrezik të lartë nga korrupsioni. Edhe ndarja e granteve, subvencioneve, dhe ndihmës shtetërore në nivel lokal dhe qendror ka një rrezik të lartë të shfaqjes së korrupsionit.

“Rrezik shumë i fuqishëm nga korrupsioni ekziston në sektorët e gjyqësorit, policisë, transportit,urbanizmit dhe planifikimit hapësinor, ekonomisë dhe mbrojtjes së ambientit.

Rrezik i matur i lartë nga korrupsioni ekziston në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë publike, ndërsa rrezik i matur nga korrupsioni ekziston në sektorin e sportit “, thuhet ndër të tjerash në analizën e Komisionit anti korrupsion “ Vlerësimi i rreziqeve nga korrupsioni për nevojat e planifikimit të luftës kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut”. Analiza më tej ka vlerësuar edhe pikat kritike të korrupsionit që janë identifikuar gjatë analizës ndaras së rreziqeve nga korrupsioni, ku dallohen emëruesit e përbashkët të kësaj dukurie në më shumë fusha.

Ndikimi i fuqishëm politik ndaj sektorit publik, problemet me sundimin e së drejtës që sjellin shkallën e ulët të sanksionimit të sjelljes korruptive në nivel të shoqërisë, paqartësitë në rregullativën juridike që lënë hapësirë për keqpërdorime dhe nxitjen e sjelljes korruptive , problemet me integritetin e faktorit njeri në nivel të shoqërisë , transparenca, sistemi për mbikëqyrje dhe mekanizmat e kontrollit në sektorin publik. Këto janë dobësitë e përbashkëta që përcjellin të gjithë fushat e analizuara. Në ndërkohë , Strategjia për parandalimin e korrupsionit në pesë vitet e ardhshme duhet të sigurojë rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të sistemit, efikasitetin e shfrytëzimit të resurseve publike dhe përforcimin e demokracisë dhe vlerave shoqërore.

Sipas kreut të Komisionit Antikorrupsion, Biljana Ivanovska, qëllimet kryesore të strategjisë janë ndër të tjerash edhe pengimi i ndikimit politik ndaj punës së trupave të pavarur, sigurimi i transparencës dhe integritetit gjatë punësimeve dhe politikat për resurset njerëzore në sektorin publik të bazuara në sistemin e vlerave dhe kritereve për cilësisë, digjitalizimi i të gjithë sektorëve të shërbimeve publike etj. Strategjia parashikon edhe përfshirjen e organizatave joqeveritare dhe mediave në luftën kundër korrupsionit, rritjen e vetëdijes shoqërore dhe realizimin e edukimit anti-korrupsion.

“Lidhur me zbatimin e suksesshëm të strategjisë i domosdoshëm është sigurimi i resurseve të nevojshme si kusht numër një për realizimin e qëllimeve strategjike. Komisioni ynë është kompetent të ndjekë realizimin e masave dhe aktiviteteve të strategjisë dhe të përgatisë raporte vjetore deri tek Parlamenti”, shton më tej Ivanovska. Në ndërkohë , pritet edhe Parlamenti të miratojë strategjinë nacionale anti-korrupsion. Ndryshe , analiza e Komisionit Anti korrupsion ka vërejtur edhe ndikim të madh politik në sektorin publik gjatë përgatitjes, miratimit dhe zbatimit të ligjeve, gjatë krijimit të politikës kadrovike dhe realizimit saj si emërimi i personave udhëheqës dhe punësimeve në sektorin publik, gjatë realizimit të furnizimeve publike, në proceset e ofrimit të shërbimeve publike dhe gjatë lëshimit të lejeve apo dokumenteve të ndryshme të lidhura me përfitimet e larta ekonomike të parashtruesit të kërkesave. (koha.mk)