Ballina Aktualitet Shqiptarët e ISIS: Harta e të ikurve drejt Sirisë e Irakut

Shqiptarët e ISIS: Harta e të ikurve drejt Sirisë e Irakut

0
Largimet e para të shqiptarëve drejt Sirisë e Irakut u shënuan që në 2012, e me pas kulmi i tyre arriti dy vite më vonë ku u numëruan përafërsisht mbi 144 shtetas shqiptare që shkuan në Siri dhe Irak si luftëtarë të huaj.

E në fund të 2015 ikjet thuajse u zeruan, pas ndryshimeve në kodin penal që pjesëmarrjen dhe rekrutimin për konflikte të armatosura në vende të huaja e konsideron vepër penale.

Si pasojë e luftës, referuar të dhënave të raportit të Komisionit Evropian 26 luftëtarë shqiptarë janë vrarë, rreth 45 janë kthyer ndërsa 73 persona të tjerë gjenden ende në zonat e luftës, nga ku 18 luftëtarë e 55 gra dhe fëmijë.

Tre fshatrat e Pogradecit, Zagorçan, Rremenj dhe Leshnicë që kishin numrin më të madh të të larguarve, duket se kanë formuar trekëndëshin misterioz me zhdukjen papritur të banorëve të zonës drejt luftës, raporton Top Channel.

Ikjet e banorëve janë shënuar edhe në Përrenjas, Librazhd, Elbasan.

Por historitë e kthimit në luftëtarë të huaj, besnik të ISIS gjen edhe brenda në kryeqytet.

“Në këtë xhami janë falur. Po nuk janë bërë thirrje për të shkuar në Siri këtu, çdo kush ka shkuar vetë, por nuk është mirë, nuk lejohet”, tha Nefail Lilo, praktikant mysliman.

“Për mendimin tim kanë qenë djemtë më të mirë, të shkolluar. Jo se nuk kishin arsim e i gënjyen, por gjithsesi ishin çuna shumë të sinqertë. Dikush mund të thotë që ata ikën se e ndjenë, normal që ata besimin fetar e kishin, por them se ata u mashtruan. Duke qenë në pozicionin e kryeplakut të fshatit dhe jam e me fat që jam pranë xhamisë këtu, vura re se kohët e fundit para se të largoheshin ata frekuentohej nga shumë besimtarë të panjohur. Nëse ka ardhur një frymë këtu, ka ardhur nga jashtë”, tha Vladimir Lipo, kryeplaku i Leshnicës.

“Nuk kemi një pasqyrë të qartë, e lëre më pastaj të saktë, të tendencave të ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri, duke e quajtur ekstremizëm të dhunshëm thjesht këtë grup të dalë nga gjiri mysliman shqiptarë, të cilët shkuan si luftëtarë të huaj në Siri. Edhe i quajtën pikë kulminante, faktikisht nuk është se kemi manifestime të dhunës, pra terrorizëm, nga këta persona brenda Republikës së Shqipërisë. Po ta marrim përqindjen e të shkuarve në këto zona luftimi mbi bazën e popullsisë myslimane, në Shqipëri rezulton diku te 0.8%. Pra, në çdo 100 mysliman shqiptarë më pak se 1 person ka shkuar në këto vende. Diçka më e lartë është përqindja në Kosovë, diku në këto vlera është edhe ajo maqedonase. Ndërkohë përqindja e të shkuarve nga Republika e Shqipërisë është më e ulët se përqindja e shtetasve britanikë, diku 1.2%; Gjermania pak më të lartë se 1.2%, Franca e ka mbi 2%. Ndërsa Belgjika mbi 3%. Dhe unë do kisha veçuar këtu një fenomen, neve në Shqipëri e në përgjithësi në atë që quhet Ballkani Perëndimor kemi popullsi autoktone myslimane disa shekullore”, tha Ergys Muzhaqi, ekspert i sigurisë.

“Ata mund të jenë agjentë ndryshimi, ata që mund të japin mesazhe në komunitet. Ka shumë nevojë të kuptohet se çfarë ka ndodhur me këta njerëz, mbi shkaqet reale të largimit, që nuk janë ekonomike, do me thënë për një pjesë të vogël, por janë ideologjike dhe doktrinore. Janë shkaqe që kanë të bëjnë me komunitete ku ata kanë jetuar, me dinamikat e grupeve që ata janë bërë pjesë.

Largime si shkak i një bindjeje të thellë ideologjike fetare, nëpërmjet keqpërdorimit të fesë. Ne kemi njerëz që kanë shitur shtëpitë e tyre, kanë marr gratë dhe fëmijët se kanë besuar se do të përballeshin me një botë të re”, tha Endri Hida, pedagog.

“Nëse do të shohim hartën e të ikurve do të shikonim që ka ndodhur në zonën kur kapacitetet kanë qenë jo fort të mira. Unë kam pasur mundësi të takoj imamë nga zonë e Librazhdit , Pogradecit e zona të tjera e kam vënë re se mosha mesatare e imamëve për shembull në Myftininë e Librazhdit, ishte 60 vjeç. A munden vallë ata t’i flasin një rinie që njeh teknologjinë, e që ka sfida nga më të ndryshmet?!”, tha Gjergj Vurmo, studiues i radikalizmit fetar.

GEGA

Troy Apke Jersey