PE nesër voton për rezolutën me të cilën mbështesin fillimin e negociatave me Maqedoninë

0

Parlamenti Evropian nesër do të votojë për rezolutën që ka për qëllim të dënojë shtyrjen e negociatave të pranimit të Maqedonisë dhe Shqipërisë, dhe sigurimin e mbështetjes për vazhdimin e politikës së zgjerimit të Ballkanit Perëndimor.

Sipas agjendës së publikuar nga ana e PE-së, një debat mbi negociatat me Maqedoninë dhe Shqipërinë do të zhvillohet pas orës 15:00 këtë pasdite, ndërsa votimi për rezolutën pritet të zhvillohet nesër.

Në debat me kryetarët e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian, Donald Tusk dhe Jean-Claude Juncker, eurodeputetët dënuan vendimin për të vonuar fillimin e negociatave të pranimit për Shkupin dhe Tiranën. Grupet parlamentare kanë hartuar një rezolutë në të cilën Partia Popullore Evropiane (PPE), Social Demokratët, Liberalët, të Gjelbrit dhe Konservatorët dhe Reformistët Evropian tregojnë për dëmin dhe pasojat e mundshme të situatës në zhvillim kur bëhet fjalë për politikën e zgjerimit të BE-së.

Më parë, zyrtarët kryesorë evropian përsëritën se një vendim negativ për të filluar negociatat me Shkupin dhe Tiranën është një gabim historik.

Tusk u tha eurodeputetëve se ai shpreson se kjo padrejtësi do të korrigjohet para samitit të Zagrebit që pritet të mbahet në muajin maj të vitit të ardhshëm.