Gjysma e buxhetit mujor në një familje shqiptare shkon për ushqim

0

Një familje shqiptare shpenzon mesatarisht 76 mijë lekë në muaj për konsum.

Por 44 për qind e këtij buxheti ose rreth 33 mijë e 500 lekë në muaj shkojnë vetëm për ushqime. Të dhënat zyrtare nga instituti i statistikave tregojnë se konsumi i familjeve shqiptare mbetet mirëfilltazi mbijetese, teksa gati gjysma e të ardhurave shkojnë vetëm për të plotësuar nevojat bazë të të ushqyerit. Kjo është norma më e lartë në Evropë.

Sipas Eurostat, në vendet e Bashkimit Evropian ushqimet i marrin familjeve vetëm 12.2 për qind të buxhetit ose gati 4 herë më pak se sa në Shqipëri. Madje në vende të caktuara si Britania e Madhe, Gjermania apo dhe Austria familjet shpenzojnë edhe më pak se 10 për qind të buxhetit për t’u ushqyer.

Pesha e madhe e të ardhurave që familjet shqiptare detyrohen të shpenzojnë për mbijetesë është rezultat i dy faktorëve; çmimeve të larta të ushqimeve në vend, por mbi të gjitha nivelit të ulët të të ardhurave. Sa më i varfër të jetë një vend, aq më e lartë është pjesa e buxhetit që shkon për konsum mbijetese, pasi këto shpenzime janë të detyrueshme.

Por përtej faktit se ushqimet ju marrin familjeve shqiptare katër herë më shumë të shpenzime se sa vendet e BE, të dhënat tregojnë se kjo barrë po ulet shumë ngadalë.

Sipas INSTAT, në 11 vitet e fundit, pesha e shpenzimeve që zënë ushqimet në buxhetin e familjeve shqiptare është ulur me vetëm 3.6 pikë përqindje, nga 47.6 përqind që ishte në vitin 2007 në 44 për qind vitin e kaluar. Madje në tre qarqe të vendit si Durrës, Elbasan dhe Vlorë ushqimet marrin më shumë se gjysmën e buxhetit, një tregues tipik për vendet në varfëri të thellë.