Buxheti i burgjeve, për një të burgosur vetëm 950 denarë në muaj

0

Shteti ndan vetëm rreth 950 denarë në muaj për një të burgosur. Ushqimi që të afërmit detyrohen ta sjellin, prishet. Myku, lagështia dhe insektet janë përditshmëri në qelitë, ndërsa përleshjet fizike nuk pushojnë. Kjo është jeta pas grilave, sipas monitorimit të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, i zbatuar sivjet në dhjetë burgje në të gjithë vendin. Nuk është vizituar vetëm burgu në Manastir meqë është duke u rinovuar. Nga Komiteti bëjnë të ditur se burgjet nuk kanë një mjek të përhershëm, e as që punohet në risocializimin e të burgosurve.

Ajo që ne propozojmë është që, pa anulim të ketë respektim më të koordinuar të obligimit ligjor të Ministrisë së shëndetësisë për dhënien e mbrojtjes shëndetësore për personat e privuar nga liria. Kur jemi tek arsimi , ende nuk ka ndonjë sistem arsimor në institucionet ndëshkuese- përmirësuese”.

Nga Komiteti i Helsinkit thonë se koordinimi i dobët i institucioneve i lë problemet e pazgjidhura. Dobët zhvillohet edhe menaxhimi i burgjeve. Kur është kryer monitorimi, përveç të burgosurit, për kushtet e këqija të punës janë ankuar edhe nëpunësit.

Vazhdimisht po ndodhë të zgjidhen drejtorët e burgjeve, të cilët nuk e kanë idenë se çfarë do të thotë burgu dhe me çfarë lloj popullsie do të duhet të përballen dhe të punojnë. Këto janë çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve që duhet të marrin të burgosurit”-pohoi Urania Pirovska – Drejtore e Komitetit të Helsinkit.

Nga Komiteti bëjnë thirrje që sistemi i provës, përkatësisht sistemi i masave alternative për monitorimin e të burgosurve, përfundimisht të funksionojë sepse Ligji ishte miratuar katër vjet më parë. Hallka dhe pajisje të tjera për mbikëqyrjen elektronike të të dënuarve janë marrë, por ato qëndrojnë si suvenire në magazinat e Burgjeve, për shkak se nuk ka firmë për mirëmbajtjen e pajisjeve. Prandaj gjykatat nuk shqiptojnë masa alternative, ndërsa mbingarkesa në burgje dhe pas amnistisë së qeverisë është akoma e pranishme. /Alsat M/