Ligji për Prokurorinë, së shpejti rikthehen grupet e punës

0

Pas 15 gushtit pritet që grupet e punës të pushtetit dhe opozitës sërish të ulen në tavolinë për kapërcimin e dallimeve rreth ligjit për Prokurori publike, në kuadër të cilit duhet të zgjidhet edhe fati i Prokurorisë Speciale. Nga Ministria e drejtësisë konfirmojnë se dinamikën e këtillë të punës të dyja palët e kanë dakorduar në takimin e fundit. Data do të mësohet menjëherë pas pushimeve, thonë nga Ministria e Drejtësisë. BE-ja e kërkon ligjin për Prokurori si parakusht për marrjen eventuale të datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në tetor, si parakusht për luftën kundër krimit, korrupsionit dhe sundimin e së drejtës. E deri sa pritet të ketë ndonjë marrëveshje, në Kuvend janë dorëzuar dy propozim-ligje. Një nga VMRO-DPMNE-ja opozitare dhe tjetri nga pushteti.

“Njëjtë sikur VMRO-DPMNE-ja, edhe bashkësia ndërkombëtare këmbëngul të ketë ligj cilësor për Prokurorinë publike. Me at që e ofruam qoftë me amendamente ose ndryshimin e tekstit të dorëzuar nga pushteti, apo tekstin që e përgatitëm ne, jemi në një linjë me bashkësinë ndërkombëtare. Pasi edhe ata sikur ne këmbëngulin në zbatim të saktë dhe të përpiktë të sundimit të së drejtës. Përveç krijimit të alibit, assesi nuk mundem t’i interpretoj ndryshe përpjekjet e LSDM-së, Zaevit dhe pushtetit lidhur me akuzat që i bëjnë ndaj nesh”, theksoi Igor Janushev, sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi seancën e caktoi për më 27 gusht. Në njoftimin e fundit të Ministrisë së drejtësisë lidhur me ligjin për Prokurori publike thuhet se edhe më tej mbeten dallimet kryesore, mes të cilave edhe për statusin e lëndëve të Prokurorisë Speciale. Sipas Ministrisë së drejtësisë, VMRO-DPMNE këmbëngul që në ligjin e ri të mos ketë dispozitë e cila do t’i japë kompetenca Prokurorisë së re t’i ndjekë lëndët e dala nga bisedat e përgjuara.

“Ata vlerësojnë se këto lëndë nuk duhet me automatizëm të kalojnë në Prokurorinë e re, sidomos lëndët që janë ngritur pas skadimit të afatit ligjor prej 18 muajve që e kishte PSP-ja pas formimit të saj. Për tjerat ka hapësirë për bisedime, por për këto jo. Ne vlerësojmë se nuk duhet krijuar situatë të mosndëshkimit me ligj me të cilin do të përfshihen lëndë të caktuara”, tha Renata Deskoska, ministre e Drejtësisë.

Nga VMRO-DPMNE-ja theksojnë se në ligjin e tanishëm për Prokurorinë Speciale, thuhet se pas qershorit të vitit 2016 askush nuk ka të drejtë të ngrej aktpadi. Ata pyesin përse askush nuk e ngre çështjen e përgjegjësisë për dikë që ka ndërmarrë veprime dhe ka shpenzuar paratë e shtetit, duke e ditur se këtë nuk guxon ta bëjë, pasi paraqitet si organ i paautorizuar i akuzës.