Më 27 gusht seancë në Kuvend për propozim ligjin e Prokurorisë publike

0

Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka caktuar për më 27 gusht seancën në të cilën duhet të miratohet propozim-ligji për Prokurorinë Publike. Arsye për këtë zvarritje të adoptimit të ligjit të ri janë mospajtimet mes Qeverisë dhe opozitës lidhur me dispozitat e ofruara, por edhe propozimin për kreun e Prokurorisë Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, sikurse do të quhet zyrtarisht kjo levë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë.

Asgjë nga optimizmi se fati i Prokurorisë së Posaçme Publike të Katica Janevës do të mund të zgjidhet këtë verë. Përplasjet mes shumicës dhe opozitës kanë detyruar kryeparlamentarin (e Maqedonisë së Veriut) Talat Xhaferi në seancën tematike për miratimin e propozim-ligjit për prokurorinë publike ta thërrasë në fund të pushimeve verore, më 27 gusht. Deri atëherë mbase Qeveria dhe VMRO-DPMNE-ja opozitare besohet se do t’ia dalin të flasin me një zë për të dhënë dritën jeshile të propozim-ligjit për Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të Lartë dhe gjithë kjo propozohet të bëhet me procedurë të shkurtuar, me sigurimin e shumicës së dy të tretave.

Opozita maqedonase kundërshton kalimin e prokurorëve të Prokurorisë aktuale në institucionin e ri duke shtuar edhe kërkesën tipike opozitare – për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Një problem tjetër që pritet të sheshohet është se Ministria e Drejtësisë në propozim-ligjin e ri nuk ka pëfshirë klauzolën për pëdorimin zyrtar edhe të gjuhës shqipe dhe as propozimin që miratimi të ketë edhe shumicën e Badenterit, që domethënë se për hyrjen në fuqi të ligjit të ri do të duhet edhe shumica e votave nga deputetët jomaqedonas.

Rrjedhimisht, ditët e fundit në adresë të liderëve të partive politike ka pasur thirrje të fuqishme nga faktori ndërkombëtar që të gjejnë forcë për miratimin e këtij ligji, para marrjes së vendimit përfundimtar të Komisionit Evropian për caktimin e datës së bisedimeve për aderim me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Komisioneri në largim Johannes Hahn, por edhe zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit Filip Riker, duke iu drejtuar opozitës rikujtuan se nevojitet sjellje e përgjegjshme dhe se duhet hequr dorë nga lojërat politike.