Për dorëheqjen e Haradinajt raportojnë edhe mediat botërore – ato serbe vënë në pah deklaratën e tij rreth taksës

0

Përveçse në Kosovë, lajmi për dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj është publikuar shumë shpejt edhe nga mediat e rajonit, evropiane dhe ato botërore.

Përveç mediave prestigjioze si BBC, Bloomberg, Spiegel dhe të tjera, për këtë lajm ka raportuar edhe Euronews.

Sipas këtij mediumi, kryeministri Haradinaj ka thënë të premten se ka dhënë dorëheqje, duke treguar edhe arsyen, e cila siç ka thënë ai, është ftesa nga Specialja, si i dyshuar.

Siç kujton ky medium, përcjell Telegrafi, Gjykata e posaçme në Hagë u krijua në vitin 2015 dhe se Dhoma e specializuar financohet nga Bashkimi Evropian.

“Haradinaj tha se do të udhëtojë në Hagë javën e ardhshme. Kjo është hera e dytë që ai duhet të japë dorëheqjen si kryeministër”, thekson ky medium.

Veç këtyre, lidhur me këtë ka raportuar edhe mediumi kroat Jutarnji.hr.

Sipas këtij mediumi, kryeministri i Kosovës ka dhënë dorëheqje. “Ramush Haradinaj shkon në Hagë si i dyshuar: ‘Nuk mund ta udhëheq vendin në këtë situatë’”, shkruan mediumi në fjalë.

Gjithsesi, një lajm i tillë ka zënë vend edhe në mediat serbe.

Dhe përveç njoftimit, mediat serbe kanë vënë në pah edhe deklarimin e Haradinajt rreth taksës ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“… ai lexoi letrën e dorëheqjes, por tha se taksa që qeveria e tij ka vendosur në importet e mallrave nga Serbia dhe BeH do të mbetet në fuqi deri në njoftimin e mëtejshëm”, shkruan mediumi serb Blic.rs.

Ndryshe, Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë.

“Dorëheqja është e parevokueshme”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa ka bërë të ditur se këtë vendim e ka marrë pasi atij i ka ardhur një ftesë nga Gjykata Speciale.

Ai para mediave ka thënë se dorëheqje ka dhënë për ta ruajtur nderin e Kosovës, dhe për t’u paraqitur në Gjykatën Speciale si qytetar i thjeshtë.

Në vitin 2005 ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit pasi që i ishte ngritur aktakuzë për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. /Telegrafi/