Osmani – Sijartos: Hungaria mbetet aleati ynë i fuqishëm brenda Bashkimit Evropian

0

Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane Bujar Osmani, sot mbajti takim me Ministrin për Punë të Jashtme dhe Tregti të Hungarisë, Peter Sijarto, i cili për vizitë pune qëndron në vendin tonë.

“Hungaria është kryesuesi i grupit të vendeve- anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat, në mënyrë eksplicite, përmes  një deklarate, kërkuan përshpejtim të procesit të integrimit evropian të vendit, dhe hapje të menjëhershme të negociatave” theksoi Osmani, duke shtuar se krahas mbështetjes deklarative, e cila është gjithsesi shumë e rëndësishme, Republika e Hungarisë siguron edhe mbështetje bilaterale për vendin, si element i rëndësishëm në përforcimin e kapaciteteve të strukturës negociuese dhe konkretisht për përforcimin e kapaciteteve të Sekretariatit për Çështje Evropiane i cili është institucion kyç në procesin e integrimeve evropiane.

Në takim u hapën temat lidhur me përmbajtjen e Raportit të Komisionit Evropian për vendin dhe konkluzat e Këshillit të Evropës, në të cilën u vërtetua përmbajtja e Raportit, si dhe aspektet dhe sfidat për integrimet evropiane të vendit në periudhën e ardhshme dhe avancimi i bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve.

Në fund të takimit Osmani dhe Sijarto u dakorduan se bashkëpunimi bilateral do të jetë i intensifikuar në periudhën e ardhshme, dhe shprehën pritje të sinqerta se, në kornizën e përshtatshme kohore – tetor të këtij viti, Këshilli do ta konfirmoj vendimin e vitit të kaluar, dhe Maqedonia e Veriut do ti nis negociatat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.