Plastika, mbetje e rrezikshme: Marrëveshja për të ulur shkarkimin në dete

0

180 vende, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë pranuar t’i konsiderojnë si të rrezikshme mbetjet plastike. Marrëveshja e arritur prej tyre pritet ta reduktojë ndjeshëm sasinë e plastikës që përfundon në brigjet e oqeaneve të globit. Ujdia ligjërisht detyruese nënkupton se vendet firmëtarë duhet të monitorojnë e të gjurmojnë mijëra ton mbetjesh plastike jashtë kufijve të tyre. Marrëveshja u vulos pasi 1,400 përfaqësues u mblodhën në Gjeneve për 12 ditë diskutimesh në kuadër të programit mjedisor të OKB-së. Nisja praktikisht përbën një përditësim të konventës së Bazelit të vitit 1989 mbi kontrollin e mbetjeve të rrezikshme, duke përfshirë aty tashmë edhe plastikën. Kjo lëvizje, tha Rolph Payet i këtij programi të Kombeve të Bashkuara, i dërgon të gjithëve një mesazh të fortë politik, sektorit privat, konsumatorit, kujtdo, se ne duhet të bëjmë diçka patjetër. Vendet pjesëmarrëse në takim, sipas tij, vendosen këtë “dicka-në”, ta kthejnë në veprim konkret në terren. Në Gjermani ndërkohë, ministri i Zhvillimit, Gerd Müller, bëri thirrje për ndalimin e plotë të qeseve plastike; politikani i CSU-së nënvizoi sesi disa vende afrikane e kanë hedhur ndërkohë këtë hap. Duhet të bëjmë dhe ne si Ruanda, Kenia e Uganda, u shpreh ai duke i sjellë këto vende si shembull për Gjermaninë.