Në 4 muaj më shumë se 100 infermiere janë larguar nga vendi

0

Rreth 100 infermiere kanë lëshuar shëndetësinë publike dhe kanë ikur jashtë vendit apo nëpër spitale private gjatë këtij viti. 40 prej tyre janë infermiere të cilat kanë punuar në Qendrën Klinike, ndërkaq pjesa tjetër në spitalet tjera më të vogla. Unioni i infermierëve alarmon se pos kuadrove të reja, nga vendi po ikin infermieret me përvojë të gjatë pune. Gjendja më kritike paraqitet me mungesën e motrave medicinale të cilat veprojnë në fusha specifike si salla operacioni, që si pasojë e mungesës së tyre ndodh që të mos zhvillohen edhe operacione.

“Është shumë e rëndësishme të përmendet se ikin infermiere të cilat janë nëpër njësitë kritike dhe specifike për të cilat është e nevojshme edukim i posaçëm. Flas për instrumentalistët dhe kolegë të tjerë të cilët duhet vërtetë shumë kohë e gjatë për tu edukuar që ta keni si kuadër. Posaçërisht alarmante paraqitet ikja e instrumentalisteve dhe personelit të shërbimeve specifike, e cila sjell mbingarkesë të madhe. Ne kemi institucione shëndetësore të cilat ndalojnë programet operative për shkak të mungesës së instrumentalistëve”, theksoi Gordana Beshliovska, Kryetare e Unionit të Infermierëve

Unioni i infermierëve kërkon zgjidhje ligjore për të parandaluar eksodin e infermierëve si dhe do të zgjidheshin problemet e tyre shumëvjeçare.

“Shpresojmë se rregullimin e ligjit, do të fillojnë të zgjidhen të gjitha këto probleme, do të fillojë që infermieret të jenë të kënaqura dhe puna e tyre të merr tjetër kontekst dhe besoj se do të ndalojë ikja në numër kaq të madh”, u shpreh Gordana Beshliovska, Kryetare e Unionit të Infermierëve

Problematike mbetet ende edhe çështja e infermierëve të cilët janë të angazhuar nëpër Ambulanca me koncesion. Edhe pse muaj më parë statusi i tyre u rregullua me ligj, shumica e tyre ende mbeten pa punë në rast të pensionimit të mjekut apo mbylljes së ambulancës. Të pakta kanë qenë rastet e atyre të cilat pas mbylljes së ambulancave janë kthyer në shëndetësinë publike, ndërkaq për momentin mbi 40 prej tyre janë në listën e pritjes për tu kthyer nëpër Klinikat shtetërore.