Ballina Shqipëri Sot dita pa automjete në Tiranë

Sot dita pa automjete në Tiranë

0

Ditën e kujtimit të Dëshmorëve, në 5 Maj, Bashkia e Tiranës ka vendosur ta konsiderojë ditë pa automjete.

Përveç iniciativës individuale që këtë të diel të mos përdoren automjetet private, por transporti publik disa rrugë të kryeqytetit do të jenë të bllokuar.

“Do të bllokohet i gjithë bulevardi Dëshmoret e Kombit dhe rrugët që ndërpriten me të”, tha Toni Beni, drejtor i qarkullimit rrugor në bashki.

Për shkak të bllokimit të aksit kryesor të kryeqytetit siç është Bulevardi kryesor në rrugët e tjera pritet të ketë trafik të renduar nëse qytetarët nuk do ta respektojnë thirrjen e bashkisë.

Por në fakt duket se ka një rritje të ndërgjegjësimit të qytetarëve.

Në kujtim të Dëshmorëve, Bashkia Tiranë ka organizuar një sërë aktivitetesh për këtë të dielë.

“Në sheshin Skënderbej do të ketë teatër me kukulla për fëmijët. Panair me produkte, balet përgjatë bulevardit dhe në sheshin Nënë Tereza, një panair me disa automjete të ushtrisë”, tha Ester Likaj.

Bashkia e Tiranës fton qytetarët që të dielën të dalin në këmbë ose me biçikletë dhe gjithashtu t’i bashkohen aktiviteteve që ka organizuar.