Dita e Dëshmorëve të Shqipërisë

0

Sot shënohet 5 Maji – Dita e Dëshmorëve të Atdheut.

Dita e Dëshmorëve u vendos të jetë 5 maji 1942, dita kur u vra nga fashistët, Qemal Stafa, aktivist i luftës Nacional Çlirimtare.

Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli shqiptar i kujtonte dëshmorët e tij dhe mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike, dhe trashëgimisë të historisë të tyre nga brezi në brez.

Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e atdheut. Në vitin 1923 ligjërohet vetëm pensioni për familjen e tij, si pjesë e ligjit për pensionet e ushtarakëve

Gjate Luftës Nacional Çlirimtare, fillojnë përpjekjet e para për të nderuar dëshmoret e rënë në fushat e betejave. Të rënët i bënë simbol frymëzimi për luftëtarët e lirisë. Këngët për dëshmorët, dhënia e emrave të dëshmorëve reparteve partizane, shkrimet për aktin e tyre në shtypin e luftës dhe në fjalime, betimi para varreve të tyre, varrimi partizan ceremonial, ndihma për familjet, zëvendësimi i tyre në radhët partizane nga të afërt etj., të gjitha këto janë shprehje e vlerësimit për aktin dhe figurën e dëshmorit.

Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte edhe trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Aantifashiste Nacionalçlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut.

Ne vitet e 60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit, ku u përqendruan varret e të gjithë dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës e të Kuçit të Vlorës. U ndërtuan edhe varrezat e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”

Me 1992-1993, me ndërrimin e sistemit politik, pësoi ndryshime edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut. Me një vendim të qeverisë Meksi, ende i papublikuar, iu hoqën përfitimet familjeve të dëshmorëve.