Thaçi për “Der Spiegel”: Shumë serbë në Kosovë votuan për mua

0

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka prezantuar veten si një politikan shumë të moderuar, në një intervistë të gjatë për gazetën e njohur gjermane “Der Spiegel” të mërkurën, teksa ka folur për “lirinë e serbëve në Kosovë”, për UÇK-në dhe për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi, i cili nga “Der Spiegel” u prezantua si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me nofkën “gjarpri”, u shpreh se serbët në Koswovë gëzojnë të drejta dhe liri të cilat i garantohen me kushtetutë. Tha se ka një komshi të komunitetit serb dhe se “shumica prej serbëve” kanë votuar për të në zgjedhje.

“Nuk ka ndasi mes serbëve në Kosovë. E përsëris: Serbët në Kosovë janë të integruar. Ata kanë shkollat e tyre, kopshtet për fëmijë. Ata mund të lëvizin lirshëm. Shumë prej tyre madje votuan për mua. Edhe fqinji im është serb, vetëm një mur na ndan”, u shpreh Thaçi për “Der Spiegel”.

I pyetur për tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, Thaçi deklaroi se ekziston një dallim mes serbëve në përgjithësi dhe serbëve të Kosovës.

“Duhet të bëjmë dallime midis serbëve dhe serbëve në Kosovë. Kam punuar me ta për një kohë të gjatë dhe atë në mënyrë shumë konstruktive. Shumica e tyre duan të jetojnë në paqe të integruar në shoqërinë e Kosovës. Por disa prej tyre janë instrumentalizuar nga Beogradi. Ata janë nën presion, shumë kanë edhe frikë. Këtu BE-ja duhet të marrë një qëndrim shumë më të qartë”, deklaroi Thaçi.

Ai mbrojti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, teksa deklaroi se ajo nuk ka bërë krime, por ka luftuar për lirinë e vendit.

“UÇK-ja ishte një ushtri që luftonte për liri, nuk bënte krime. Nëse ka pasur shkelës individualë, ata duhet – dhe kjo po ndodh – të gjykohen nga gjyqësori kosovar. Por kjo nuk është asgjë në krahasim me atë që kanë bërë serbët”, u shpreh Thaçi.