Albin Kurti: Pas 20 vjetësh ne ende nuk dimë ku janë 1652 personat e pagjetur

0

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me rastin e Ditës së të Pagjeturve, ka thënë se 20 vjet më vonë ende nuk e dihet se ku janë 1652 njerëz dhe çfarë ka ndodhur me ta.

Kurti ka shtuar se heshtja institucionale dhe ankthi s’merr fund për familjarët e të pagjeturve që çdo ditë presin ndonjë lajm për familjarët e zhdukur nga koha e luftës, transmeton Klan Kosova.

“Mungon drejtësia dhe e vërteta për të pagjeturit, mungon ngushëllimi për familjet, mungojnë gjykimet e dënimet për fajtorët”.

“Në të kaluarën, disa herë gjatë vitit, ktheheshin nga Serbia dhjetëra thasë me numra që përmbanin nga një grumbull jo të plotë të eshtrave. Sot kjo nuk po ndodh më. Sepse sot ka ngecur gjithçka sa i përket zbardhjes së fatit të të pagjeturve”.

“Përderisa në Bruksel është diskutuar edhe për çështje të brendshme të Kosovës, fati i të pagjeturve asnjëherë nuk ka marrë vëmendjen e duhur. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë deri tash është zhvilluar duke harruar historinë që e përjetuam”.

“Në vend se të rritet presioni ndaj Serbisë përgjegjëse për këto krime mizore, pushtetarët e Kosovës luajnë me dhimbjen e pakufishme për të pagjeturit.  Ata kanë përgjegjësinë për të bërë më shumë për këtë çështje, sepse një e kaluar e tillë nuk mund të jetë një e kaluar për shoqërinë tonë”.

Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të Kurtit në Facebook.