Është hapur xhamia “Kasim Beu” në Shkup

0

Më 22 prill, 2019, me një manifestim rasti u bë hapja solemne e xhamisë së re “Kasim Beu” në lagjen Gazi-Baba të komunës së Çairit, Shkup.

Në hapjen solemne të Xhamisë mori pjesë Kryetari i BFI-së, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi; Myftiu i Myftinisë së Shkupit, Mr. Qenan ef. Ismaili; Sekretari i Përgjithshëm i BFI-së, Irsal ef. Jakupi; Myftiu i Myftinisë së Tetovës, prof. dr. Qani ef. Nesimi, si dhe shumë hoxhallarë e mysafirë.

Programi filloi me fjalën e Zotit – recitimin e ajeteve kuranore, pasuar nga fjala e mirëseardhjes nga hatibi i Xhamisë, Amel ef. Kurtishi. Ai dha një rezyme të shkurtër rreth historikut të kësaj xhamie, që nga themelimi i saj e deri në ditët tona.

Fjala përshëndetëse, në cilësinë e nikoqirit të organizimit, ishte e Myftiut të Myftinisë së BFI së RMV-Shkup, mr. Qenan ef. Ismaili. Po ashtu, fjalë përshëndetëse kishte edhe Kryetari i Komunës së Çairit, z. Visar Ganiu.

Para të pranishmëve me fjalë rasti u paraqit Kryetari i BFI të RMV, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, i cili veç tjerash përmendi se me ndërtimin e kësaj xhamie për herë të tretë, pas rrënimeve që ka pësuar nga sistemet e mëhershme, themelet e saj do të jenë beden mbi të cilin do të ngrihen parimet më të larta fetare dhe kombëtare, duke promovuar kështu, deri në Ditën e Gjykimit, vlerat universale.

Për donatorët, të cilët dhanë kontribut më të theksuar, Myftinia e BFI të RMV-Shkup, në koordinim me Këshillin Iniciues për ndërtimin e kësaj xhamie, përgatiti nga një mirënjohje. Po ashtu, nga ana e Këshillit të Xhamisë mirënjohje pati edhe për Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepin dhe Myftiun e Shkupit, mr. Qenan ef. Ismaili, në shenjë nderimi dhe respekti për përkrahjen e Xhamisë në çdo aspekt, deri në arritjen e hapjes solemne.

Lusim Allahun (xh. sh.) që kjo xhami të luajë rolin e një qendre në të cilën do të mësohet Islam i pastër i trojeve tona.