“Arnautët” dhe shqiptarët e Ziadin Selës

0

Në tubimin elektoral të kandidatit Blerim Reka për kryetar të Maqedonisë e Veriut ishin të pranishëm edhe Albin Kurti dhe Ziadin Sela. Në fjalimet e tyre në përkrahje të kandidatit Reka, Kurti e Sela nuk folën se çka fitojnë shqiptarët më shumë nëse Blerim reka zgjidhet Kryetar dhe çka humbin nëse fitojnë dy kundërkandidatët tjerë maqedon. U mjaftuan me fjalime retorike të ngjyrosura me populizëm dhe përfundimi i fjalimeve të ishte se duhet të votohet Blerim Reka se është shqiptar.

Shkruan Bexhet Musliu

Pra kaq mjafton për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut që të përcaktohen për votën e tyre, Blerim Reka është shqiptar dhe për ti prekur shqiptarët në sedrën e tyre Ziadin Sela bëri edhe një klasifikim të çuditshëm. Ai deklaroi se ata që nuk e votojnë Blerim Rekën por ndonjërin nga kandidatët maqedon janë “arnaut” ndërsa ata që e votojnë Blerim Rekën janë shqiptarë.

Ky etiketim i Selës është një fyerje e rëndë për shqiptarët në radhë të parë dhe një ndimesë e mirë për VMRO-në që ti fryjë edhe më shumë nacionalizmit etnik.

Me thirrje dhe etiketime të tilla nuk manipulohën shqiptarët sot por në radhë të parë nuk duhet të fyhen në këtë mënyrë siç bëri Ziadin Sela.

Ziadin Selës duhet ti përkujtojmë edhe diçka:

Ziadin Sela në zgjedhjet lokale në vitin 2014, ishte kandidat i PDSH-së për kryetar komune në Strugë. Në rrethin e parë të zgjedhjeve Sela doli më i mirë se kandidati i BDI-së dhe lideri i kësaj partie Ali Ahmeti, që kjo komunë të fitohet nga një kandidat shqiptarë, publikisht doli dhe tha se BDI-ja, do të përkrah kandidatin shqiptarë, dhe i bëri thirje elektoratit të tij për ta votuar Ziadin Selën në këtë rast. Kështu Sela edhe u zgjodh kryetar komune në vitin 2014, pra fal BDI -së në rrethin e dytë.

Kurse në zgjjedhjet lokale në vitin 2018, ku përsëri Ziadin Sela kandidoi për postin e kryetarit të kësaj komune për të fituar zgjedhjet në rrethin e dytë Sela kërkonte votat e maqedonasve, dhe atë të VMRO-së.

Prandaj edhe shtrohet pyetja: Nëse votat e PDSH-së dhe BDI-së janë vota “tradhetarësh arnaut” nëse e votojnë për Pendarovskin, atëherë përse në atë kohë ishin vota shqiptarësh, kur Sela kërkonte edhe votat e elektoratit të VMRO-së?!

Kështu po del që Ziadin Sela ka një koncept politik të dyzuar në raport me votën. Në raundin e parë shfaqet si patriot dhe shpëtimtar i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut e në raundin e dytë bëhet kozmopolit dhe kërkon edhe votën e “tradhëtarëve” dhe mohuesëve të të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet.

Janë katër parime shumë të rëndësishme në jetë: Dashuria, ndershmëria, e vërteta, respekti. Pa këto në jetën tënde nuk ke asgjë

1. Zoti Ziadin Sela nëse keni synim që një ditë të jenë lideri dhe perfaqësuesi politik i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duhet ti duash ata, e jo ti etiketosh herë tradhëtarë e herë patriot, varësisht pozicionit tënd në raport me votën.

2. Në pikëpamjen e etikës, ndershmëria zakonisht mendohet cilësi pozitive. Megjithese në jetën e përditshme shumica e njerezve i lejon vetvetes gënjeshtra të vogla, duke e menduar ndershmërine absolute si naivitet ose madje marrëzi. Ndershmëria është cilësia njerëzore e marrëdhënies dhe veprimit me çiltërsi, vërtetësi dhe drejtësi në të gjitha pikëpamjet e jetës, pra edhe në politikë, ku duke qenë i ndershëm shmang gënjeshtrën, trillimin dhe mashtrimin.

3. E vërteta përkufizohet përgjithsisht si përputhja e çështjeve me faktet dhe realitetin dhe besim i njeriut, që bazohet mbi faktet. Shumë shpesh këto “të vërteta” bazohen në prova të paplota e të pasakta dhe, nganjëherë, u shërbejnë qëllimeve shumë egoiste.

4. Zoti Ziadin Sela baza e jetës nuk është dashuria, por respekti, sepse ka dashuri vetëm aty ku ka respekt. Askush nuk do pa respekt. Të duash pa respekt nuk është dashuri. Është mungesë respekti. Është një abuzim, është interes. Kjo është e gjitha, përveç asaj që dëshironi.

Prandaj Zoti Ziadin Sela, mos i fyej shqiptarët, mos i etiketo. Nëse mendoni se vërtetë shqiptarët kanë zgjedhur gabim kandidatin e tyre thuaju atyre të vërtetën që bazohet në fakte. Përdore një fjalor më etik kur u drejtohesh atyre dhe krejt në fund respektoje përcaktimin e tyre politik sepse nuk mendojnë të gjithë shqiptarët sikur ju.

Të paktën mos i lëndo.