LDE propozon një platformë shqiptare për zgjidhjen e krizës politike!

0
Nën përgjegjësinë tonë si qytetarë të thjeshtë e të rregullt por edhe si njerëz të angazhuar politikisht, ne drejtuesit e LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë kemi vendosur të bëjmë publike këtë Platformë me disa propozimet tona për tejkalimin e krizës politike ku është zhytur prej disa javësh politika shqiptare.
Platforma jonë është një Platformë shqiptare dhe nuk synon aspak të jetë shtegu bazë i zgjidhjes së krizës, por me siguri ka për qëllim hapjen e debatit për gjetjen e rrugëve të zgjidhjes nga vetë Politika dhe Shoqëria shqiptare.
Duke pritur ndërmjetësim dhe zgjidhje prej Ndërkombëtarëve, klass jonë politike veçse kryen ritualin e saj të përhershëm në këto 3 dekada kur dhe ku paudhësitë janë gjithmonë lokale por zgjidhjet janë ndërkombëtare.
Zgjidhjet e ardhura prej Ndërkombëtatarëve janë përdorur ngahera prej udhëheqësve tanë lokalë jo si zgjidhje në favor të interesit publik dhe kombëtar, por si marifete legjitimuese për paudhësitë dhe vetë udhëheqësit tanë.
Koha e marifeteve ka mbaruar. Asnjë Ndërkombëtar nuk ka më pse të ndërmjetësojë e as sjellë zgjidhje Deus ex Machina të cilat e mbajnë krizën të konservuar për tu rivatërzuar e ricikluar në mënyrë të përsëritur.
Koha ka ardhur që kush i bën paudhësitë edhe paguan e mban përgjegjësi për to.
Tek e fundit, thelbi i demokracisë është pikërisht transparenca, llogaridhënia dhe përgjegjshmëria.
Udhëheqësit shqiptarë janë tashmë duke bërë rezistencën e fundit ndaj kohës së re që po vjen, por nuk e ndalin, as e devijojne apo vonojnë dot.
Ne si LDE gjykojmë se është në të mirën e Shqipërisë por edhe të vetë udhëheqësve tanë që të pajtohen me kohën e re dhe me rregullat e parimet e saj.
Nën këtë frymë ne si LDE propozojmë që:
1. Të gjitha palët politike të bëjnë një hap pas, duke pranuar publikisht fajin dhe përgjegjësinë e tyre për gjithë sa ka ndodhur në këto 3 dekada, por sidomos për zhvillimet më tê fundit që kanë çuar në djegien e mandateve të Opozitës dhe gjithë ndarjen e madhe me rrezik potencial edhe një përplasje tê madhe mes palëve. Nuk kanë as pse të krahasohen e as të ndërakuzohen për masën e fajit e përgjegjësive. Thjesht ti pranojnë dhe kaq. Ky proçes, do ti hapë rrugë ndërtimit të një fryme dhe mirëkuptimi të ri politik dhe social në Shqipëri.
2. Opozita të pranojë gabimin e saj se vendimi për djegien e mandateve ka qenë krejt i pavend dhe e ka vendosur atë vetë pra Opozitën, jo më përballë Edi Ramës, por përballë Perëndimit. Opozita duhet patjetër ti rikthehet qëndrimeve, frymës dhe përkatêsisë së saj të qartë Properëndimore.
3. Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste duhet menjëherë të kërkojnë të falur publikisht për gjuhën dhe mekanizmat AntiOpozitare që ata kanë përdorur nën filozofinë dhe taktikat e triumfatorëve që shfarosin humbësit.
Në demokraci, u takon gjithmone fituesve dhe shumicave që ta gjejnë mënyrën për ta përfshirë dhe partnerizuar me Opozitën, në çështjet e mëdha të vendit dhe kombit. Vetëm mendësi diktatoriale dhe thellësisht antidemokratike e shpallin Opozitën si armike të Qeverisë, Shtetit dhe Vendit.
4. Shpalljen e Jodialogut si praktikë e gabuar dhe parademokratike. Grupet sociale mund edhe të mbajnë qëndrime Jodialogu përballë fuqisë së pushteteve.
Por partitë politike dhe sidomos Shumicat dhe Pakicat politike, e kanë detyrim madhor ligjor, kushtetues dhe demokratik që të dialogojnë papushim , kurdoherë, gjithësesi, në çdo kohë për të mirën dhe interesin shtetëror, publik dhe kombëtar.
Dialogu nuk është pazar. Derisot, “Dialogu” është ushtruar dhe kuptuar si pazar pushtetesh, pushtetarësh, politikanësh dhe partishë.  Koha që po vjen thërret dhe kërkon për ta ushtruar dhe kuptuar Dialogun si një natyralitet dhe detyrim parimor e demokratik. Dialogu është normalisht një instrument i punës së institucioneve dhe palëve politike për ti kryer më së miri detyrat e tyre publike, për të mirën publike. Dialogu nuk është instrument për të fituar njëra – palë mbi tjetrën e as dy palë a tre palë bashkë. Dialogu shpesh nxjerr palët humbëse, por domosdoshmërisht duhet të nxjerrë interesin dhe të mirën publike dhe kombëtare.
5. Të krijohen menjëherë Ekipet Negociatore mes Qeverisë dhe Opozitës të cilat do të identifikojnë dhe bien dakort mbi temat dhe çështjet për të cilat palët duhet të mbërrijnë tek niveli i lartë i Dialogut mes Udhëheqësve Politikë.
Gjithçka duhet të jetë transparente për publikun dhe me qëllimësi, objektiv dhe përmbajtje vetëm interesin dhe të mirën publike. Udhëheqësit politikë duhet të flasin haptazi dhe komunikojnë me ndjekësit e tyre dhe publikun mbi rëndësinë e Dialogut dhe mbi kostot partiake apo individuale që duhen paguar për hir të interesit dhe të mirës publike. Kjo kërkon tërheqje të menjëhershme nga gjuha ultimative, konfliktnxitëse dhe çdo strategji përplasjeje mes palëve.
6. Nënshkrimin e një Memorandumi nga Palët Politike ku të përcaktohet si i padevijueshm, i pandryshueshëm, i pandalshëm, i panegociueshëm, orientimi dhe rrugëtimi ProPerëndimor i shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Ky Memorandum të ketë të përfshirë edhe rinkofirmimin e mbështetjes së plotë të Reformës në Drejtësi.
Në Memorandum të përcaktohet edhe nisja e një debati publik serioz dhe tê hapur mbi Reformën Zgjedhore dhe zhbërjen e atentatit kriminal e antiliri që i është bërë demokracisë shqiptare me Kodin Zgjedhor tê 2008.
Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore duhet të shndërrohet në një Forum të Hapur Publik, ku e nëpërmjet të cilit të debatohet e kërkohen zgjidhjet dhe alternativat më të mira për të themeluar për herë të parë në Shqipëri  zgjedhjet e para vërtetësisht të lira, tê drejta dhe të barabarta.
7. Duhet të bëhet detyrim ligjor nëpërmjet Kodit Zgjedhor dhe Ligjit për Partitë Politike, demokratizimi i jetës  së brendshme politike dhe organizative të partive. Transparenca e financimeve, shpenzimeve, të ardhurave, donaciomeve, e gjithçka duhet të jenë të përcaktuara dhe detajuara e detyruara me Ligj.
Gjithashtu edhe transparenca e anëtarësisë dhe jetës politike dhe organizative, respektimi i statutit dhe procedurave duhet të jenë të përcaktuara e detajuara dhe të detyrueshme me Ligj.
8. Debatet Elektorale mes Liderit të Shumicës dhe Liderit të Pakicës Politike duhet të jenë të detyruara me Ligj. Askush nuk duhet ta shmangë më Debatin Elektoral mes Liderëve Politikë në vend.
9. Ngritjen dhe ushtrimin e traditës së një takimi të detyrueshëm së paku 1 herë në javë mes Kryeministrit dhe Liderit të Opozitës. Axhenda e këtyre takimeve duhet të jetë publike dhe transparente.
10. Angazhimi i të gjitha palëve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019 si fillimi i pranimit dhe bashkëudhëtimit drejt kohës që po vjen kur dhe ku kërkohet maturi nga klasa politike shqiptare qê të eci përpara e marre vendime në përputhmëri me interesin më të mirë të shqiptarëve dhe me këshillimin e porositë e SHBA dhe BE.
Jemi të hapur për debatimin e këtyre pikave dhe propozimeve tona.
LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë