Banka Botërore: Të zbatohen reformat ekonomike në Maqedoninë e Veriut

0

Banka Botërore mbetet në projektimin e rritjes ekonomike për Maqedoninë që këtë vit arrin në 2.9 për qind, pret që kjo të rritet deri në 3.2 për qind në vitin e ardhshëm.

Në raportin ekonomik të rregullt për Ballkanin Perëndimor që u prezantua sot, thuhet se imazhi ekonomik i shtetit është pozitiv dhe rekomandohet që pas përmirësimit të politikës, theksi të vendoset edhe tek reformat ekonomike.

Rritje prej 2.9 për qind Banka Botërore ka parashikuar edhe për Malin e Zi, ndërsa për Shqipërinë është parashikuar rritje prej 3.6, për Bosnjën e Hercegovinën 3.4, për Kosovën 4.4, dhe për Serbinë 3.5 përqind.

“Pengesat kryesore për rritjen janë produktiviteti i ulët i firmave lokale, institucionet e dobëta shtetërore, kapitali njerëzor i ulët, mos pajtueshmëria mes aftësive dhe ndryshimet në kërkesën e tregut të punës dhe pengesat ndaj politikave publike në aspektin e konkurrencës dhe investimeve”, thuhet në raport. Burim stabil i rritjes pritet edhe më tej të jenë investimet e huaja të drejtpërdrejta.

Raporti i rregullt ekonomik i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor është titulluar “Nevojitet përshpejtim i reformave”. Në të potencohet se pavarësisht rritjes më të fortë në rajon vitin e kaluar, u krijuan më pak vende pune, domethënë vetëm 96,000, gjë që u pasqyrua në dinamikën e kufizuar në sektorin privat, papunësia është zvogëluar, por mbetet e lartë për gratë dhe të rinjtë.